Secondary Adv

Raporti i kredive me probleme ulet per te dytin muaj radhazi

Raporti i kredive me probleme pësoi rënie për të dytin muaj radhazi në tetor.

 

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues zbriti në 5.12%, nga 5.24% që kishte qenë në muajin shtator.

 

Raporti i kredive me probleme është në një rritje të lehtë nga niveli 5% që shënohej në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Të dhënat e tetorit konfirmojnë një ecuri më të mirë se parashikimet të raportit të kredive me probleme. Rënia e këtij treguesi në muajt e fundit besohet se është ndikuar pozitivisht nga përmirësimi i kredidhënies dhe zmadhimi i portofolit total të kredisë.

 

Për muajin tetor, portofoli i kredisë për ekonominë u zgjerua me afërsisht 5 miliardë lekë.

 

Pritshmëritë ishin që këtë vit raporti i kredive me probleme mund të rritej, për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike, rritjes në normave të interesit dhe uljes së kreditimit. Deri tani, rritja e raportit të kredive me probleme ka qenë në nivele të papërfillshme.

 

Megjithëse rrija ekonomike realisht ngadalësuar krahasuar me vitin e kaluar, ekonomia sërish ka arritur t’i amortizojë mirë efektet e inflacionit të lartë dhe rritjes së normave të interesit. Kontributin kryesor e ka dhënë kryesisht turizmi dhe sektori i pasurive të paluajtshme.

 

Nga ana tjetër, edhe vetë rritja e normave të interesit këtë vit ka qenë më e kufizuar krahasuar me vitin 2022. Banka e Shqipërisë e ka rritur normën bazë vetëm dy herë, një herë në muajin mars dhe një herë në muajin nëntor.

 

Norma bazë e interesit, në nivelin 3.25%, është ndër më të ulëtat në Europë. Kushtet relativisht të relaksuara monetare janë argumentuar me forcimin e Lekut në kursin e këmbimit dhe me politikë fiskale shtrënguese të ndjekur nga qeveria shqiptare.

 

Vetë forcimi i lekut në kursin e këmbimit besohet se ka luajtur një rol pozitiv në ruajtjen e aftësisë paguese të huamarrësve me kredi në valutë të huaj dhe të ardhura në monedhën vendase.

 

Kursi Euro-Lek këtë vit ka arritur nivelet më të ulëta historike, me një rënie vjetore që gjatë sezonit veror arriti edhe më shumë se 14%. Të gjithë këta faktorë kanë bërë që deri tani rritja e kredive me probleme të mos pësojë një rritje domethënëse.

 

Ruajtja e cilësisë së portofolit, paralelisht me normat më të larta të interesit, ka bërë që performanca e sektorit bankar të rritet ndjeshëm. Në fund të 10-mujorit, fitimi në vlerë absolute ishte në nivelet më të larta historike, ndërkohë që kthimit nga kapitali ishte në nivelin më të lartë që prej vitit 2017.

 

Rritja e fitimeve ka ndihmuar në rritjen e raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit në nivelet më të larta historike, duke lehtësuar edhe përmbushjen e shtesave të kërkuara të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit nga Banka e Shqipërisë.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/raporti-i-kredive-me-probleme-ulet-per-te-dytin-muaj-radhazi-zbret-ne-5-12/)


Më të lexuarat