Te ardhurat nga turizmi ne nivel rekord, 3.2 mld euro ne 9 muaj
Bumi turistik i këtij viti është shoqëruar me rritje të fortë të ardhurash nga sektori i turizmit.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë vetëm në korrik, gusht e shtator të ardhurat nga turizmi ishin rreth 1.7 miliardë euro, ose rreth 600 mln euro më shumë se vjet.
Fitimet e ekonomisë nga bumi turistik i këtij viti, kanë regjistruar vlera rekord gjatë këtij viti.
Vetëm në pikun e sezonit turistik, të huajit kanë shpenzuar në vendin tonë rreth 1.7 miliardë euro, duke u rritur me përafërsisht 600 milionë euro në raport me tremujorin e tretë të vitit 2022.
“Shërbimet e udhëtimit u mbyllën me suficit prej 885 milionë euro, kundrejt atij prej 505 milionë euro një vit më parë.
Të ardhurat dhe shpenzimet nga shërbimet e udhëtimit u rritën në terma vjetorë respektivisht me rreth 56% dhe 40%. Kjo ecuri është së bashku pasojë e rritjes së fluksit të udhëtarëve, ditë qëndrimit dhe shpenzimeve ditore.
Gjatë tremujorit të tretë 2023, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 1,7 miliardë euro. Nga ana tjetër, udhëtarët rezidentë (shqiptarë dhe të huaj) kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 776 milionë euro.
Shërbimet e udhëtimit gjenerojnë respektivisht 70% të flukseve valutore në hyrje dhe rreth 75% të shpenzimeve të kategorisë së shërbimeve”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga turizmi përgjatë 9 muajve të këtij viti janë 1 miliardë euro më shumë se vjet.
Konkretisht 8.2 milionë turistë që erdhën nga janari deri në shtator, kanë harxhuar në Shqipëri më shumë se 3.2 miliardë euro, kurse vjet kjo vlerë përllogaritej në 2.1 miliardë euro.
Kanë mjaftuar 9 muaj që vendi të kapërcej edhe shifrat totale të vitit të kaluar, ku të ardhurat nga ky sektor ishin 2.8 miliardë euro.
Por edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit nuk mbeten pas, pasi janë rritur me 220 milionë euro në tremujorin e tretë (korrik-gusht-shtator) krahasuar me vjet.
Ndërsa në total për 9 muaj ata kanë shpenzuar jashtë vendit rreth 1.7 miliardë euro, nga 1.3 miliardë euro që harxhuan vjet në të njëjtën periudhë./Burimi: Shqiptarja.com