Secondary Adv

Pr/ligji, KKT do te lejoje investime ne parqet kombetare

Banorët-komunitetet që jetojnë brenda hapësirave të zonave të mbrojtura, do të kenë mundësi të hapin biznese, apo të ushtrojnë veprimtari ekonomike të ndryshme.

 

Ky është një nga ndryshimet që propozojnë një grup deputetësh të PS-së në ligjin ‘Për Zonat e Mbrojtura’, që sipas qeverisë ndikon edhe në frenimin e shpopullimin e qyteteve.

 

“Në zonat e mbrojtura ka banorë, ka komunitete që bashkëjetojnë në këto territore dhe privohen nga mungesa e shumë shërbimeve, e shumë të drejtave ligjore që ato gëzojnë.

 

Zonat e mbrojtura përveç vlerave konservuese duhet të prodhojnë edhe ekonomi, edhe të ardhura për komunitetin dhe bashkitë”, u shpreh në komisionin e Veprimtarive Prodhuese një nga nismëtarët Fadil Nasufi.

 

“Shpopullimi që po na vjen nga këto zona, dhe në rast se duam ta mbajmë popullsinë në këto zona duhet t’ju japim mundësinë brenda rregullave që njeh zona e mbrojtur që të mund ta shfrytëzojnë dhe zhvillojnë minimalisht atë zonë”, tha Arben Pëllumbi.

 

Edhe nëpër parqe kombëtare, ndryshe nga ligji aktual propozohet që të lejohen investime me rëndësi kombëtare kur respektohen kriteret për mbrojtjen e tyre, nëse projekti miratohet nga Këshilli Kombëtar i Territorit, pas propozimeve nga ministria e turizmit apo bashkitë.

 

Për këto ndryshime të parashikuara deputeti i PS-së, Ismet Beqiraj kërkon kontrolle të rrepta, për mos të pasur betonim të zonave.

 

“A do të legalizohen të gjitha ndërtesat që janë brenda këtyre zona, aty dhe në parqe arkeologjike për hir të zhvillimit ekonomik, të cilat rrezikojnë betonimin e tyre të këtyre zonave.

 

Pa instrumente kontrolli na jep pasoja jo të këndshme. Gjithçka ta kalojnë, ta shikojnë jo me lupë zmadhuese, por me mikroskop elektronik çdo kriter dhe parametër”, tha deputeti Beqiraj. 

 

Sipas relacionit nëpërmjet këtyre ndryshimeve zgjidhen edhe disa problematika që kanë të bëjnë me mbivendosje që kanë shkaktuar aktet e mëparshme për “Zonat me Përparësi Zhvillimi” me “Zonat e Mbrojtura”.

 

Po ashtu i shtohen edhe kompetencat pushtetit vendor, ku çdo bashki propozohet që të administrojë jo më pak se 20% e sipërfaqeve te zonave të mbrojtura që ka në territorin e vet.

 

Kërkesë kjo e bërë edhe nga bashkitë, me argumentin se ju rrit të ardhurat vjelja e tarifave të ndryshme nëpër këto zona./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat