Secondary Adv

BE hap negociatat e anetaresimit me Ukrainen dhe Moldavine

Bashkimi Europian ka hapur negociatat e anëtarësimit për Ukrainën dhe Moldavinë.

 

Lajmi u bë me dije nga presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”. Gjithashtu bëri me dije se Gjeorgjisë i është dhënë statusi i vendit kandidat.

 

Ndërsa sa i takon hapjes së negociatave me Bosnje Hercegovinën, Michel shprehet se kjo do të ndodhë kur vendi të arrijë shkallën e nevojshme të përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit.

 

“Këshilli Evropian ka vendosur të hapë negociatat e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë. #EUCO i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit.

 

Dhe BE-ja do të hapë negociatat me Bosnje dhe Hercegovinën sapo të arrihet shkalla e nevojshme e përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit dhe ka ftuar komisionin të raportojë deri në mars me synimin për të marrë një vendim të tillë.

 

Një sinjal i qartë shprese për popullin e tyre dhe për kontinentin tonë”- shprehet Michel.

 

Për këtë vendim,  ka reaguar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i cili e konsideroi këtë si një rezultat që arrihet nga ata që nuk lodhen kurrë duke luftuar. Ndërsa përgëzoi të gjithë ukrainasit për lajmin.

 

Duhet theksuar se ky është një rast i pazakontë në historinë e Bashkimit Evropian sa i takon procedurave të përshpejtuara për anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë në BE. Ukraina ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në fund të shkurtit 2022.

 

Në qershor të 2022 së bashku me Moldavinë mori statusin e vendit kandidat. Ndërsa më shumë se një vit më pas tashmë ka siguruar hapjen e negociatave.

 

Ndërkohë që vendeve të tjera, si atyre të Ballkanit Perëndimor u janë dashur vite të tëra për të bërë përparime të tilla./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat