
BSH paralajmeron tjeter rritje te normes baze te interesit
Banka e Shqipërisë paralajmëroi edhe njëherë sektorin bankar se një rritje e mëtejshme e normave të interesit është e ngjashme të ndodhë në të ardhmen e afërt.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha në fjalën e tij gjatë takimit të fundvitit me Shoqatën Shqiptare të Bankave, se niveli ende i lartë i inflacionit mund të kërkojë reagime të mëtejshme të politikës monetare dhe, nëse do të jetë i nevojshëm, ky reagim duhet të kuptohet drejt dhe nuk duhet të përbëjë surprizë për bankat tregtare.
Guvernatori nënvizoi gjithashtu se rritja e kostos së kredive mbart ende rrezikun e rritjes së kredive me probleme, për sa kohë që aftësia paguese e kredimarrësve nuk është rritur në mënyrë proporcionale me rritjen e çmimeve.
“Menaxhimi në faza të hershme i problemeve të kredimarrësve mbetet kyçi për shmangien e akumulimit të portofoleve problematike, që paralizojnë procesin kreditues.
Në këtë kuadër duhet konsideruar edhe rreziku që mund të vijë nga ekspozimi ndaj pasurive të patundshme, qoftë nëpërmjet financimit direkt apo akumulimit të lartë të kolateraleve nga kjo kategori.
Banka e Shqipërisë, për të siguruar krijimin e rezervave të duhura për mbulimin e këtij rreziku, ka prezantuar ndryshimet rregullative që kërkojnë mbajtjen e një sasie kapitali më të lartë për financimin spekulativ të pasurive të paluajtshme, të cilat kanë hyrë në fuqi në fillim të këtij viti.
Gjithashtu, në fillim të tetorit 2023, u miratua rregullorja “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi kredidhënien dhe investimet në pasuritë e paluajtshme”, sipas së cilës bankat do të fillojnë raportimin e standardizuar të këtyre ekspozimeve për pasuritë e paluajtshme rezidenciale në muajin mars 2024.
Presim nga bankat një zbatim rigoroz dhe interpretim sa më korrekt të dispozitave të mësipërme,” tha Sejko.
Guvernatori theksoi gjithashtu nevojën për një vëmendje më të madhe për sa i takon sigurisë kibernetike.
“Rritja e adoptimi i zhvillimeve në teknologjinë e informacionit, në mënyrë sa më të sigurt, kërkon vëmendjen tuaj maksimale.
Jo vetëm në teori por edhe në praktikë, u bë e qartë gjatë këtij viti rëndësia kritike që ka për veprimtarinë bankare, siguria e sistemeve të informacionit dhe e të gjitha proceseve shoqëruese që lidhen me identifikimin e problemeve në këtë fushë, raportimin, zgjidhjen dhe testimin e tyre.
Pavarësisht se industria bankare vlerësohet në tërësi pozitivisht për cilësinë e këtyre sistemeve, vlerësojmë se ato kanë nevojë të forcohen. Kjo kërkon angazhimin tuaj të vazhdueshëm dhe investime në burime njerëzore të specializuara e teknologji të posaçme, të cilat evoluojnë vazhdimisht.
Është e rëndësishme që angazhimi në këtë proces të bëhet në mënyrë të vetëdijshme, duke evidentuar jo vetëm përparësitë që ofrojnë teknologjitë e reja, por duke kuptuar edhe rreziqet që mund të shoqërojnë adoptimin e nxituar të tyre.
Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë do ta forcojë bashkëpunimin me ju dhe autoritetet relevante publike gjatë vitit të ardhshëm, me synimin për të përmirësuar efektivitetin dhe zbatueshmërinë e kërkesave ligjore dhe rregullative,” u shpreh Guvernatori.
Sejko vuri në dukje se goditjet me të cilat sektori është përballur në vitet e fundit kanë evidentuar shkallën ende të pamjaftueshme të zhvillimit që kanë tregjet primare e sekondare të letrave me vlerë, si dhe prezencën e ulët të instrumenteve derivative që ofrojnë mbrojtje nga rreziqet e kursit të këmbimit dhe të normave të interesit.
Sipas tij, Banka e Shqipërisë dhe bankat tregtare duhet të bëjnë më shumë në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të tregjeve e produkteve financiare.
Së fundi, Guvernatori kërkoi nga bankat forcimin e mëtejshëm të treguesve të tyre të kapitalizimit, duke shfrytëzuar sidomos fitimet e larta të këtij viti.
“Edhe gjatë vitit 2024, në përputhje me parashikimet rregullative dhe programin përkatës të aplikimit gradual, do të vijojnë të rriten kërkesat për kapital.
Zbatimi i këtyre kërkesave, përtej përafrimit të kuadrit tonë rregullator me atë të BE-së, siguron jo vetëm një qëndrueshmëri më të lartë të sistemit bankar ndaj goditjeve të përmendura më sipër, por edhe vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve financiare, tashmë të integruara në jetën e përditshme të qytetarëve dhe bizneseve.
Konsolidimi i sistemit bankar dhe rritja e numrit të bankave me peshë të lartë në sistem e bën imperativ trajtimin e diferencuar të tyre për të zbutur rreziqet sistemike dhe efektet mbi paratë e taksapaguesve, në rast krizash të mundshme në të ardhmen.
Vlerësoj se është e rëndësishme që të ardhurat më të larta të këtij viti, të shfrytëzohen nga bankat për të rritur qëndrueshmërinë afatmesme të treguesve të kapitalit dhe mbështetjen e ndërmjetësimit financiar,” tha ai.
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/sejko-bankave-duhet-te-jeni-gati-per-rritje-te-tjera-te-normes-baze-te-interesit/)
Më të lexuarat









