Kuvendi i Kosoves miraton buxhetin e vitit 2024, paketa 3.3 miliarde euro
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar ligjin për buxhetin për vitin 2024, në një seancë të jashtëzakonshme të enjten në mbrëmje.
Votimi u braktis nga opozita dhe nga 64 deputetë të pranishëm në sallë, 63 votuan pro, ndërsa një abstenoi. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i falënderoi deputetët për mbështetjen e projektligjit për buxhetin në një reagim në rrjetin social Facebook menjëherë pas votimit.
Projektligji ishte miratuar në parim gjatë një seance në nëntor. Drafti ishte aprovuar nga Qeveria e Kosovës më 31 tetor, dhe sipas planifikimit buxheti kap vlerën e mbi 3.3 miliardë eurove – nga 3.2 miliardë që ishte në këtë vit.
“Po vazhdojmë që ta forcojmë mbrojtjen e Republikës, rrisim sigurinë, nxisim punësimin në tregun e punës, shtojmë kujdesin për familjet, mbështesim reformat që kemi filluar dhe mundësojmë zhvillimin e mëtejmë ekonomik dhe rrisim mirëqenien e qytetarëve në vend”, shkroi Kurti në rrjetet sociale.
Mbi 1 miliard euro të buxhetit shkojnë për subvencione dhe transferta, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, mbi 800 milionë euro për paga dhe shtesa dhe afër 500 milionë euro për mallra e shpenzime.
Buxheti 2024 parasheh edhe rritjen e koeficientit të pagave. Pesë institucionet me buxhetin më të madh në vitin 2024 pritet të jenë:
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me 931 milion euro, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 265 milion euro,
Ministria e Punëve të Brendshme me 216 milion euro, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës me 174 milion euro dhe Ministria e Mbrojtjes me 153 milion euro./Burimi: SCAN