
Albcontrol prokuron disa sherbime per Aeroportin e Vlores, operimi nis ne 2024
Albcontrol ka kërkuar marrjen e disa shërbimeve të lidhura me Aeroportin e Vlorës i cili sipas dokumenteve pritet të nisë operimin më fund të 2024.
Këtë të hënë në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik me një fond limit 166 milionë lekë apo 1.6 milionë euro u njoftua kontrata “Krijimi i strukturave të hapësirës ajrore dhe hartimi i Procedurave të Fluturimit RNP dhe ILS për Aeroportin e Vlorës, përfshirë matjet e pengesave (survey) dhe flight validation”.
Referuar specifikimeve teknike Albcontrol pranon se procedura lidhet me faktin që “një Aeroport i ri Ndërkombëtar që i shërben qytetit të Vlorës është planifikuar të nisë operimin në fund të vitit 2024.
Aeroporti ka një kod referimi 4E. Drejtimet e pistës 13/31 janë të disponueshme për trafikun e mbërritjes dhe të nisjes”. Sipas dokumenteve pista ka një gjatësi prej 3200 m dhe gjerësi 45 m.
Një prag i zhvendosur do të zbatohet për të dy pistat duke zvogëluar gjatësinë e pistës së disponueshme për ulje në një drejtim.
“Procedurat e afrimit RNP për të dy pistat do të sigurojnë afrim 3D preciz dhe jo preciz (SBAS CAT I, LNAV/VNAV), si dhe afrim 2D jo preciz (vetëm LP, LNAV).
Të dy skajet e pistës do të plotësohen me procedurat konvencionale ILS CAT I për të shërbyer si rezervë e afrimeve kryesore RNP.
Modeli i propozuar për ofrimin e shërbimeve të trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës përshkruan një aerodrom të kontrolluar në një zonë kontrolli, të lidhur me rrjetin e rrugëve ajrore ATS nëpërmjet një hapësire ajrore të kontrolluar.
Në kuadër të operimeve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës janë parashikuar disa aktivitete që do të mbështesin hartimin e strukturave të hapësirës ajrore dhe procedurat e fluturimit instrumental.
Objektivi i nivelit të lartë është zhvillimi i një Koncepti të plotë të Hapësirës Ajrore PBN për TMA-në e Vlorës dhe hartimi i integruar i procedurave të TMA-së, në përputhje me Rregulloren (BE) 2018/1048.
Një Ofrues i miratuar i Shërbimit të Hartimit të Procedurave të Fluturimit do të kontraktohet nga ALBCONTROL, Shërbimet e Lundrimit Ajror të Shqipërisë, për të kryer aktivitetet e mëposhtme në Aeroportin e Vlorës:
a) hartimi i strukturave të hapësirës ajrore;
b) matja gjeodezike e pengesave;
c) hartimi i procedurave të afrimit RNP për të dy pistat;
d) hartimi i rrugëve standarde të ngritjes RNAV 1 SID dhe rrugëve standarde të mbërritjes RNAV 1 STAR për të dy pistat;
e) hartimi i nisjeve gjithëdrejtuese (ODD) për të dy pistat;
f) hartimi i procedurave të afrimit ILS për të dy pistat;
g) validimi paraprak dhe me fluturim i procedurave të fluturimit instrumental;
h) vlerësimi i sigurisë së operimit për procedurat e reja të fluturimit instrumental;
i) trajnimi në vendin e punës i hartuesve të procedurave të fluturimit dhe gjeodetëve të rinj të punësuar” thuhet tek specifikimet teknike që shoqërojnë procedurën.
Aeroporti i Vlorës
Në fillim të vitit 2021 qeveria shpalli fituesin për koncesionin e Aeroportit të Vlorës me një ofertë investimi 103 milionë euro ku bënin pjesë dy kompani Mabco Constructions SA e investitorit Behgjet Pacolli dhe ortaku turk YDA Insaat Sanayi ve Ticaret.
Në dhjetor të 2022-it Mabco mori kontrollin e plotë të aksioneve. Qeveria ka aplikuar për këtë projekt garantimin e trafikut të munguar.
Sipas dokumenteve të bëra publike në atë kohë të ardhurat e garantuara në skenarin bazë për 10 vitet e para të operimit parashikohen 9.6 milionë euro në vitin e katërt, 10.3 në vitin e pestë, 11.2 për të gjashtë, 12.1 për të shtatë e kështu me radhë me një kulmim prej 18.6 milion euro në vitin e 13 nga nënshkrimi i kontratës.
Në total të ardhurat e garantuara duhet te jenë rreth 138 milionë euro. Kontrata parashikon që aeroporti të përfundojë në vitin 2024./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/aeroporti-i-vlores-albcontrol-prokuron-disa-sherbime-operimi-nis-ne-2024/
Më të lexuarat








