Secondary Adv

Energjia, te pavarurit prodhuan vetem 13 per qind te totalit deri ne tetor

Pesha që prodhuesit e pavarur të energjisë kishin në totalin e energjisë së prodhuar në vend deri në tetor ishte vetëm 13 për qind.

 

Kjo sasi edhe pse në dukje modeste zë një pjesë të rëndësishme të prodhimit neto në vend teksa Korporata Elektoenergjetike Shqiptare falë edhe situatës hidrike të mirë gjatë këtij viti prodhoi 61 për qind të totalit të prodhimit vendas duke regjistruar mbi 4.3 milionë MWh.

 

Të dhënat periodike të 10 mujorit të energjisë tregojnë se prodhimi neto deri në tetor ishte 7 milionë MWh nga të cilat prodhuesit e pavarur hodhën në treg mbi 921 mijë MWh.

 

Aktualisht në treg si të pavarur janë Devoll Hydropower me dy HEC-et Banja dhe Moglica, Kuruk me Hec-et e privatizuar nga shteti, Ayen me Peshqesh dhe Fangu si dhe ECO Energy me HEC- Qami.

 

Ndërkohë në këtë kategori tashmë ka edhe një nënkategori që përfshin fotovolatikët e pavarur të cilët shesin në treg të lirë. Nga totali i energjisë së prodhuar nga të pavarurit në 10 muaj, fotovolatikët zunë një peshë prej 1.8 për qind të grupit një nivel ende modest.

 

KESH gjatë këtij viti ka pasur aktive marrëveshjet e shkëmbimit me Kosovën ku të dhënat tregojnë se deri në tetor janë depozituar në Korporatën Elektroenegjetiket ë Kosovës 1.4 milionë MWh energji një sasi e barabartë me 32.7 për qind të prodhimit të KESH.

 

Sa i takon bilancit energjetik Shqipëria deri në tetor është eksportuese neto duke pasur parasysh që konsumi ishte 6.4 milionë MWh gati 91 për qind e prodhimit neto.

 

Kryesisht gjatë këtij viti vendi ka bazuar furnizimin tek prodhimi vendas falë një situate të mirë hidrike ndryshe nga viti 2022 kur kriza e energjisë arriti kulmin ndërkohë situate hidrike ishte aspak e favorshme.

 

KESH u angazhua gjatë këtij viti në disa procedura shitjeje të energjisë të cilat sollën disa dhjetëra milionë euro të ardhura ndërkohë që nga 10 ditësh i parë i dhjetorit nuk ka pasur asnjë procedurë të re.

 

Të dhënat 10 mujore të kaskadës tregojnë se për liqenin e HEC të Fierzës niveli ka qenë në rënie të vazhdueshme nga muaji qershor duke arritur në fund të tetorit në 263.5 metra mbi nivelin e detit./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/energjia-te-pavarurit-prodhuan-vetem-13-te-totalit-deri-ne-tetor/


Më të lexuarat