Secondary Adv

Ekonomia mbetet e dobet, mbahet nga ndertimi, pasurite e paluajtshme e pagat e administrates

Ekonomia ka vijuar të rritet me ritme të ngadalta edhe në tremujorin e tretë të vitit, me 3.46%, nga 3.38% që ishte rritja me bazë vjetore në tremujorin e dytë.

 

Konsumi i popullatës u rrit gjithashtu minimalisht me vetëm 2%, nga 4.18% në tremujorin e dytë. Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë vijuar që të udhëheqin rritjen, duke ndikuar në një të tretën e rritjes.

 

Ekonomia është ndikuar pozitivisht nga rritja e pagave në administratën publike, teksa “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” ndikuan edhe ato në një të tretën e rritjes.

 

Ndonëse konsumi u nxit nga turizmi, Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe shërbimi ushqimor, kontribuoi në vetëm 7% të rritjes së ekonomisë, teksa turistët nuk duket të kenë arritur të amortizojnë rënien e numrit të popullsisë, si rrjedhojë e prirjeve të larta të emigracionit.

 

Ndikim negativ kishte industria (-0.34 pikë përqindje), që po vuan si nga konjuktura e pafavorshme ndërkombëtare e çmimeve të produkteve, ashtu dhe nga rritja e kostove dhe rënia e euros.

 

Negativ ishte dhe kontributi i bujqësisë (-0.17 pikë përqindje), ndikuar kryesisht nga ecuria negative e blegtorisë.

 

INSTAT bëri të ditur se Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e tretë të vitit 2023 vlerësohet me rritje prej 3.46 %, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2022.

 

Në tremujorin e dytë, ekonomia ishte rritur me 3. 38% (nga 3.23% që ishte vlerësimi në publikimin e mëparshëm), ndërsa në të njëjtën periudhë të 2022-t me 4.9%.

 

Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +1.20 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,68 pikë përqindje,

 

Ndërtimi me +0,45 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0.43 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,26 pikë përqindje, Tregti,Transport,

 

Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +0,24 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me +0,24 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,09 pikë përqindje.

 

Negativisht kontriboi grupi: Industri, Energji dhe Uji me -0,34 pikë përqindje, Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me -0,17 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuuan pozitivisht me +0,37 pikë përqindje.

 

Bie industria dhe bujqësia, rritet ndërtimi e pasuritë e paluajtshme

Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit shënoi rënie prej 0,50%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 2,89%.

 

Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 4,72%. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 0,77%.

 

Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 8,97%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 4,50%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 12,20%.

 

Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me rritje prej 7,55%. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 11,18%.

 

Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati rritje me 11,28%. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 2,87%.

 

Konsumi i dobët

Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e tretë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shfaqen si më poshtë:

 

Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 2,06%. Konsumi final i qeverisë u shfaq me një rritje prej 12,28%. Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 2,11%.

 

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 17,91%, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 2,05%./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/https-www-monitor-al-wp-admin-post-phppost308952actionedit/


Më të lexuarat