
Renia ne PISA 2022 e Shqiperise, shenoi rekord ne te gjithe historine boterore te testit
Rënia e rezultateve mësimore të 15-vjeçarëve të Shqipërisë në “PISA 2022” ishte aq e fortë, saqë shënoi rekord në të gjithë historinë botërore të zhvillimit të testit nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Vlerësimi tregoi se niveli arsimor në vend ka bërë hapa pas dy dekada, teksa mësuesit dhe ekspertët e arsimit e konfirmojnë këtë fakt.
Dështimi i kurrikulës, përdorimi i teknologjisë pa kriter, pagat e ulëta, rënia e autoritetit të mësuesit, modelet e suksesit të pabazuara në dije janë disa nga arsyet
Shqipëria mori rezultate shumë të dobëta në Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) që u krye më 2022, por mësuesit dhe ekspertët e arsimit paralajmërojnë se në testimin e radhës rezultatet mund të jenë edhe më të përkeqësuara.
Shqipëria ka bërë dy dekada pas në sektorin e arsimit, sipas testimit të kryer në vitin 2022 me nxënësit 15-vjeçarë. Në matematikë, ata morën 368 pikë, 69 pikë më pak se në testin e 2018 dhe 21 pikë më pak se më 2012.
Në letërsi morën 358 pikë, 47 më pak se më 2018 dhe 35 më pak se më 2012. Edhe në shkenca, rënia e ishte e ngjashme.
PISA është test vlerësimi ndërkombëtar i nxënësve, një hulumtim ndërkombëtar në nivel botëror, i cili bëhet nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në vendet anëtare dhe joanëtare të shteteve ku vlerësohen performancat e nxënësve në matematikë, shkencë dhe lexim.
Teksti nisi të aplikohet në vitin 2000 me një interval përsëritje në çdo tre vjet, me qëllim që vendet të përmirësojnë politikat arsimore. Në rezultatet e vitit 2022, Shqipëria ka shënuar rënien më të madhe në rezultate me vetveten në të gjithë historinë e PISA.
Autorët e raportit të vlerësimeve janë përpjekur të gjejnë arsye për të shpjeguar këtë rënie të paprecedentë, por të gjitha faktet tregojnë se aftësitë kanë shënuar rënie.
Rezultatet e dobëta të vendit në arsim kaluan në heshtje, por një seri mësuesish dhe ekspertësh, që ushtrojnë profesionin në arsimin parauniversitar, pranojnë se rezultatet kanë rënë duke dhënë edhe arsyet.
Ndryshimi i kurrikulës, përdorimi i gabuar i teknologjisë, mungesa e motivimit për mësuesit, rënia e nivelit profesional të mësuesve, notat fiktive dhe mendësia mes prindërve dhe nxënëses se shkolla nuk të bën të suksesshëm, janë disa nga shkaktarët e rezultateve të dobëta.
Ekspertët lajmërojnë se rezultatet janë përkeqësuar pasi të gjitha arsyet e renditura po përkeqësohen, teksa niveli i mësuesve të rinj është më i dobët.
Financimet e ulëta për arsimin dhe sidomos pagat e ulëta të mësuesve po çojnë gjithnjë e më shumë nxënës, studentë të dobët, në degët e mësuesisë, duke vënë në diskutim cilësinë e arsimit në vijim.
Rezultatet zyrtare të pranimit në fakultete në vitin arsimor 2023-2024 treguan se, në degën e letërsisë, mesatarja e pranimit të studentëve ishte 6, ndërsa degët e matematikës dhe fizikës rrezikojnë të mbyllen.
Të gjithë vendet me prosperitet ekonomik apo që janë zhvilluar shumë shpejt (Koreja e Jugut dhe Estonia) kanë kryer një reformë të thellë në arsim, që më pak ka shërbyer për të kaluar ekonominë e vendit në një nivel tjetër.
Kthimi pas i Shqipërisë në arsim paralajmëron rënie në të gjithë sektorët e tjerë, të cilët prej vitesh janë vënë në vështirësi për profesionistë dhe krah pune.
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/arsimi-kthim-dy-dekada-pas-renia-ne-pisa-2022-shenoi-rekord-ne-te-gjithe-historine-boterore-te-testit/)
Më të lexuarat








