Neser jepet vendimi, zbardhet masa e SPAK per ish-kryeministrin Sali Berisha
Seanca për masën ndaj Sali Berishës është shtyrë për nesër në orën 11:00.
Avokatët e ish-kryeministrin kërkuan sërish përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, pasi sipas tyre ka konflikt interesi.
SPAK ndërkohë ka kërkuar mbikëqyrje të banesës së Berishës me polic tek dera nëse do të merret masa ‘arrest me burg’.
Është shtyrë për nesër (27 dhjetor) në orën 11:00, seanca ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, seancë në të cilën SPAK ka kërkuar shtrëngimin e masës së sigurisë nga ‘detyrim paraqitje’ në ‘arrest shtëpie’ si dhe mbikqyrjen e banesës me punonjës të policisë së shtetit.
Avokatët e Sali Berishës, Sokol Mëngjezi dhe Genc Gjokutaj, kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me provat e prokurorisë për ndryshimin e masës së sigurisë dhe përsëritën sërish kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, pasi sipas tyre ka konflikt interesi sepse është shkarkuar nga ish-kryeministri më 1996.
Por avokatët nuk përmendin një fakt tjetër. Sipas dokumentit të siguruar dhe publikuar pak ditë më parë nga shqiptarja.com dhe Report Tv gjyqtarja Irena Gjoka është emëruar po nga Sali Berisha 6 muaj pas me një vendim të dytë.
'Seanca e sotme kishte të bënte me kërkesën për zëvendësimin e masës së zotit Berisha në arrest shtëpie. Ne i kërkuam gjyqtares të japë dorëheqjen për shkakun e bërë të ditur për shkak njëanshmërie.
Ajo nuk u shpreh. Ne e kishim dorëzuar në sekretarinë e gjykatës të gjithë kërkesën me provat, kur Berisha ka qenë kryetar i KLD-së në shkurt 1996 dhe ajo ishte shkarkuar. Bëmë një set pyetjesh.
Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për nesër në orën 11:00.'- tha avokati i Berishës, Genc Gjokutaj.
Vetë Sali Berisha, nuk ishte prezent, ndërsa paralelisht mbajti një bashkëbisedim me të rinjtë e FRPD-së. Ndërkaq në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, për shmangur ndonjë incident, u morën masa të shtuara sigurie, pasi prezente ishin patrulla policie.
Kërkesa e SPAK për të zëvendësuar masën u bë pak ditë më parë nga Kuvendi, i cili dha autorizimin për masën e arrestit ndaj Sali Berishës, pasi ky i fundit refuzoi të plotësonte masën detyrim paraqitje para oficerit të policisë gjyqësore.
Sali Berisha është nën hetim nga SPAK për akuzën e “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Në dosjen e klubit sportiv “Partizani” thuhet se ish Kryeministri ndikoi që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, sot në arrest shtëpie, të privatizojë kompleksin dhe ndërtojë 19 kulla të cilat i sollën fitim prej 5.4 mln euro. /Burimi: Shqiptarja.com