Linja 400kV me Maqedonine e Veriut, zbardhen detajet e projektit 70.1 mln euro
Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri – Maqedoni e Veriut do të kushtojë 70.131 mln euro.
Operatori i Sistemit të Transmetimit ka zbardhur detajet e financimit të kësaj vepre energjetike, që e cilëson si më të rëndësishmen në 30 vitet e fundit midis 2 vendeve.
Buxheti për ndërtimi e kësaj linje do të ndahet midis një kredie nga KfW gjermane, një granti nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), që është një instrument i Bashkimit Evropian, si dhe një kontributi nga ana e OST.
Më konkretisht, kredia e marrë nga KfW kap vlerën e 50 mln eurove, ndërsa granti i ËBIF është në vlerën e 14 mln eurove.
Gjithashtu, një grant tjetër në formën e bashkëpunimit midis WBIF dhe GIZ në vlerën e 1.131 mln euro, si dhe 5 mln euro nga OST përbëjnë skemën e financimit për këtë linjë transmetimi.
Punimet për ndërtimin e saj nisën pak ditë më parë, ndërkohë që projekti do zbatohet në 2 lote.
Loti i parë përfshin ndërtimin e linjave të transmetimit Elbasan – Qafë Thanë dhe Elbasan – Fier, ndërsa loti i dytë përfshin ndërtimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 3 si dhe zgjerimin dhe përforcimin e nënstacionit Fier.
Aktualisht, sistemet energjetike të dy vendeve nuk janë lidhura direkt e për rrjedhojë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mund të kenë shkëmbim të energjisë elektrike.
Ndërkaq, me ndërtimin e kësaj linje do të bëhet e mundur jo vetëm lidhja e dy sistemet, por do t’i hapet rrugë edhe bashkimit te tregjeve të energjisë elektrike Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Kosovë dhe më tej me vendet e BE.
Me vënien në operim të linjës 400kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut, do të rritet kapaciteti total ndërkufitar i sistemit të transmetimit shqiptar me vendet fqinje në 1500MW./Burimi: Scann TV