Secondary Adv

Frenimi i BSH dhe rritja e likuiditetit, ul yield-et e bonove 12 mujore

Yield-et bonove 12-mujore pësuan një rënie të lehtë në ankandin e fundit të vitit 2023.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 3.36%, nga 3.41% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, muajin e kaluar.

 

Nga 7 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, kërkesat totale në ankand arritën vlerën e 9.9 miliardë lekëve.

 

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për të mos rritur normën bazë javën e kaluar e ka frenuar për momentin rritjen e yield-eve të instrumenteve afatshkurtër të borxhit.

 

Gjatë muajit nëntor, rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë bëri që yield-et e bonove 12-mujore të rriteshin dhe të arrinin nivelet më të larta të shtatë muajve të fundit.

 

Megjithatë, këtë muaj Këshilli Mbikëqyrës nuk i dha vijimësi shtrëngimit monetar, megjithëse në muajin nëntor kishte paralajmëruar rritje të mëtejshme të normave të interesit.

 

Në këto kushte, yield-et kanë lëvizur për poshtë dhe ngelen shumë afër normës bazë të interesit.

 

Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në uljen e yield-it të bonove 12-mujore është edhe kërkesa e pakët e qeverisë për borxh gjatë muajit dhjetor. Vlera mujore e huamarrjes për dhjetorin ishte më e ulëta e realizuar gjatë këtij viti.

 

Në krahun tjetër, likuiditeti në treg gjatë muajit dhjetor vlerësohet se është përmirësuar ndjeshëm, për shkak të rritjes së fortë të shpenzimeve publike.

 

Megjithatë, pritshmëritë janë se normat e interesit dhe yield-et do të vazhdojnë rritjen vitin e ardhshëm. Shqipëria ka një normë interesi mjaft të ulët krahasuar me ekonomitë e tjera në Europë, ndërsa inflacioni (3.9% në nëntor) ngelet sipër objektivit prej 3% dhe tashmë në nivele ndjeshëm më të larta krahasuar me Eurozonën.

 

Në fakt, yield-et e instrumenteve afatgjata të borxhit të qeverisë shqiptare janë rritur gradualisht në gjysmën e dytë të këtij viti, çka tregon se investitorët presin një korrigjim në rritje të normave të interesit në vijim.

 

Megjithëse kalendari i mbledhjeve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ende nuk është miratuar, mbledhja e parë për vendimmarrjen e politikës monetare nuk pritet të ndodhë përpara muajit shkurt 2024.

 

Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) duket se do të tentojë të shfrytëzojë këtë dritare me norma ende të ulëta interesi dhe huamarrja në tregun e brendshëm financiar do të rritet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.

 

Sipas kalendarit të emetimeve, huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 144.5 miliardë lekëve, në rritje me 19.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 dhe me pothuajse 80% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2023.

 

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, MFE ka rritur ndjeshëm shumën e emetimeve që do të kryhen gjatë muajve janar dhe shkurt, ndërsa e ka ulur vlerën e planifikuar për në muajin mars. 

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/frenimi-i-bankes-se-shqiperise-dhe-rritja-e-likuiditetit-ne-treg-ul-perseri-yield-et-e-bonove-12-mujore/)


Më të lexuarat