Secondary Adv

Te liberalizuarit, 2104 biznese ne tension 20 kv do dalin ne treg te lire nga janari

Liberalizimi i tregut të energjisë pritet të kalojë në një tjetër fazë nga janari 2024.

 

OSHEE Group bëri të ditur se të paktën 2100 biznese të lidhur në tension 20 kv që furnizohen aktualisht me çmime pjesërisht të liberalizuar, do të duhet të paguajnë çmimin real nga janari.

 

Këto biznese furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal edhe pse në treg të lirë nga ana ligjore janë nga janari 2022 por që për shkak të krizës qeveria vendosi t’i mbante me çmime preferencialë.

 

Bëhet fjalë për biznese prodhuese dhe agropëpunese të cilat si efekt i çmimeve të larta që imponoi kriza në tregje deklaruan se e kishin të pamundur të përballonin kostot dhe do të shkonin drejt mbylljes.  

 

Në këtë fazë të re bizneset do të duhet që të lidhin kontratë me një furnizues privat ose nëse e kanë të pamundur të gjejnë një të tillë me kontratë 1-vjeçare me Furnizuesin e Tregut të Lirë me çmime fikse.

 

Dalja në treg të lirë duket se do të bëhet vetëm për 2104 bizneset e lidhura në 20 kv teksa për bizneset e lidhura në tension 10 dhe 6 kv OSHEE nuk ka bërë njoftim mbi daljen e tyre të mundshme në treg të lirë.

 

Kjo  lë të kuptohet se do të vijojnë të mbeten me çmime të rregulluara dhe që miratohen çdo muaj nga Enti i Energjisë. Liberalizimi me kategorinë 35 kilovolt nisi në vitin 2018 ku ishin të paktën 96 subjekte të lidhur në këtë nivel tensioni.

 

Më pas faza tjetër e liberalizimit nisi në 2022 por me nisjen e procesit të daljes në treg të lirë të paktën 7600 kompani u përballën me çmime të kripura në tregun e parregulluar dhe falë rezistencës së tyre u mbajtën nga qeveria me një çmim pjesërisht të liberalizuar.

 

Çmimi i tyre mesatar për vitin 2022 ishte 18.58 lekë/kWh që është 70 për qind më i lartë se ai që kishin në tregun e rregulluar. Ndërkohë për vitin 2023 nuk ka ende një vlerësim mbi çmimin mesatar.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/te-liberalizuarit-2104-biznese-ne-tension-20-kv-ne-treg-te-lire-nga-janari/


Më të lexuarat