
Turizmi triumfoi ne 2023, per 2024 priten deri ne 15 milione te huaj
Përtej numrave të turistëve për të arritur tek milionat e luksit, industrisë i duhen reforma të rëndësishme.
“Të jesh atraktiv për turistin elitar duhet të ofrosh të gjitha shërbimet, që janë si të drejtpërdrejta ashtu dhe ato mbështetëse në nivele shumë të larta, gjë që ta ndalon krahu i punës sepse nuk është i specializuar.
Vjetërsia e punës nëpër hotele nuk e ka kaluar 2 vite, kanë punuar vjet, do punojnë dhe këtë vit. Për momentin kemi shumë pak hotele që e përmbushin standardin për një turist elitar, sepse nuk është vetëm sa e bukur është ndërtesa apo dhoma”, pohon eksperti Ferjolt Ozuni.
Por sa shpenzoi një turist në Shqipëri gjatë sezonit verorë në vitin që lamë pas?
Report TV ka bërë një përllogaritje bazuar në totalin e të ardhurave nga turizmi në tremujorin e tretë të vitit që ishin 1.6 miliardë euro, duke i përpjesëtuar me 4.6 milionë turistë që erdhën në periudhën korrik-gusht-shtator.
Pra, një turist i huaj në vendin tonë ka shpenzuar 359 euro nga 291 euro që rezultonte vlera e shpenzuar në verën e 2022-shit. (Në vitin 2022 në sezonin e verës erdhën 3.6 milionë turistë, që shpenzuan mbi 1 miliardë euro).
Kjo shifër e përkthyer në shpenzime ditore për akomodim, ushqim, argëtim, përllogaritet në rreth 115 euro, duke marrë në konsideratë të dhënat e INSTAT mbi strukturat akomoduese, përgjatë sezonit veror, ku rezulton që një i huaj ka qëndruar mesatarisht në vend 3.1 netë aq sa ishte mesatarja dhe në 2022.
“Është një vlerë e kënaqshme, por jo nëse i referohemi çmimeve të njësive akomoduese në bregdet ku nuk gjeje dhoma hoteli nën 100-120 euro.
Turisti nuk është vetëm hotel-transport por ka restorantet, vizitat në muze, në site arkeologjike etj, janë këto shërbime mbështetëse që kanë pasur vështirësi”, shprehet eksperti i turizmit Ferjolt Ozuni.
Këto përllogaritje tregojnë, se turistët e huaj që kanë mbërritur në vend e që në shumicën e rasteve vijnë me paketa all-incluzive, nuk harxhojnë shumë, pasi mjaftohen me shërbimet e përfshira në paketë.
“Është më mirë të kesh 5 milionë turistë elitarë sesa 15 milionë turistë mesatarë, pasi edhe dëmi që shkaktohet në natyrë e jo vetëm është më i vogël”, thotë eksperti.
Përgjatë 9 muajve turistët kanë harxhuar në vend 3.2 miliardë euro, kurse në janar-shtator 2022 kjo vlerë përllogaritej në 2.1 miliardë euro. Për ekspertin Ozuni, shifrat do të ishin më të larta nëse industria do të ishte e formalizuar.
“Vlera reale e tremujorit të tretë duhet të jetë më e lartë se ajo e raportuar nga banka e Shqipërisë për shkak se me aq sa shoh vlera duhet të jetë 30% më shumë.
Kemi edhe struktura të regjistruara që raportojnë shumë më pak ose nuk raportojnë fare për dhënien me qira të dhomave apo apartamenteve të tyre”, tha Ozuni.
Viti 2023, përpos informalitetit, turistit të shtrenjtë apo të lirë, i kushtohet turizmit, kjo edhe për shkak të bumit të lartë të të huajve që erdhën në vend e që ishin mbi 10 milionë deri në fund të dhjetorit./Burimi: Shqiptarja.com
Më të lexuarat








