Secondary Adv

Cmimet nuk kane te ndalur, bizneset ne te gjithe sektoret parashikojne rritje

Duket se çmimet në vendin tonë do të vijojnë trajektoren rritëse, të paktën sa i përket parashikimeve të sipërmarrjes.

 

Sektorët kyç të ekonomisë si ndërtimi, shërbimet dhe tregtia presin çmime më të larta të produkteve. Të paktën këto janë disa nga projeksionet e përmbledhura në vrojtimin më të fundit të Bankës së Shqipërisë për besimin e biznesit dhe konsumatorit që i referohet muajit të kaluar.

 

Treguesi i besimit të industrisë u rrit lehtësisht me 0.5 pikë përqindje, i ndikuar nga vlerësimet më optimiste për kontratat porositëse. Pritjet e bizneseve të këtij sektori për  prodhimin, punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë pothuajse të njëjta me ato të një muaji më pare.

 

Treguesi i besimit në ndërtim u rrit ndjeshëm me 9.1 pikë përqindjeje, duke u ngjitur pranë vlerave më të larta historike. Rritja në dhjetor u përcaktua nga vlerësimet më të larta për aktivitetin aktual ndërtues dhe për nivelin e porosive.

 

Ndërkohë, edhe pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rritje. Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 2.6 pikë përqindjeje, duke qëndruar në intervalin e vlerave më të larta historike.

 

Ecuria aktuale e aktivitetit dhe niveli i kërkesës kanë regjistruar rritje, ndërsa pritjet e bizneseve për kërkesën, punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë gjithashtu me rritje.

 

Treguesi i besimit në tregti qëndroi pothuajse i pandryshuar krahasuar me vlerën e një muaji më parë. Nga ana tjetër, pritjet për ecurinë e biznesit dhe çmimet në të ardhmen u vlerësuan në rritje.

 

Sa i përket treguesit të besimit konsumator, u regjistrua vlerë e përafërt me atë të muajit paraardhës dhe u përcaktua nga pritje pothuajse të pandryshuara për situatën e përgjithshme ekonomike, financiare dhe blerjet në shuma të mëdha për të ardhmen.

 

Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar në rënie./Burimi:SCAN


Më të lexuarat