Secondary Adv

Shqiperi-Kosove, shpallen projektet fituese per zhvillimin nderkufitar

Ministria e Zhvillimit Urban të Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës, 6 muaj më parë shpallën konkursin me temë: “Profesionistët e rinj për zhvillimin ndërkufitar”, me synim ofrimin e zgjidhjeve ideore për zhvillimin e rajonit ndërkufitar të zonave: “Shtigjet e lirisë”, që shtrihet në territorin e komunave Gjakovë-Tropojë-Has dhe “Korridori i gjelbër”, që shtrihet midis territorit të komunave Prizren-Kukës.


Konkursi, rezultat i punës së përbashkët të specialistëve të dy ministrive kishte si qëllim, zhvillimin e përgjithshëm të komunave ndërkufitare dhe krijimin e mundësive për brezin e ri të profesionistëve, që të shprehin kreativitetin e tyre në dhënien e idesë për projektet në fjalë.Në datat 27 dhe 28 maj 2016, në Gjakovë, u organizua ceremonia përmbyllëse e konkursit, ku paraqitën projektet e tyre 10 grupe pune, 5 prej të cilave nga Shqipëria dhe 5 nga Kosova.Në ceremoni morën pjesë Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi si dhe përfaqësues të pushtetit vendor të hapësirës rajonale.
Në ditën e parë, juria u njoh me 10 projektet e paraqitura, të cilat sillnin risi në zhvillimin hapësinor të rajonit dhe nxitjen e veprimtarive ekonomike, sociale, kulturore dhe turistike. Tema e konkursit përfshinte propozime dhe projekt-ide inovative, për promovimin e vlerave të ndërsjella urbane, mjedisore dhe peisazhistike të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.Në përfundim të prezantimeve, juria vlerësoi me çmimin e parë për “Shtigjet e lirisë”, projektin e paraqitur nga grupi i punës i përbërë nga arkitektët: Klaudjo Ruçi, Ada Lushi, Rilind Papraniku dhe Zamira Abazi.


Për “Korridorin e Gjelbër”, çmimin e parë e mori projekti i sjellë nga Saimir Shtylla, Valentina Aversa, Elbrin Berisha, Thomas Malaguti dhe Luca Pinnavaia. Me çmim të dytë u vlerësua projekti për “Shtigjet e Lirisë” punuar nga Faredin Shala, Sibel Kirik dhe Hadis Abdula. Vendin e tretë e mori grupi i punës, i përbërë nga arkitektët Shkëlqim Daci, Rudina Qerimi dhe Sadije Kelmendi me propozimet e tyre për zhvillimin e zonës “Shtigjet e Lirisë”.Në ceremoninë e dhënies së çmimeve, Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni tha se përfituesit e zbatimit të projekteve fituese, do të jenë banorët e hapësirës rajonale Shqipëri-Kosovë, pasi projekt – idetë do të përdoren si shtytëse, për zhvillimin rajonal dhe promovimin e rajonit.“Në mbledhjen e dy Qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë, që do të mbahet më 3 qershor në Prishtinë, ne do të propozojmë që të jenë dy Qeveritë tona, të cilat do të financojnë zbatimin e fazës së parë të dy projekteve fituese. Në momentin e parë kur lidhëm marrëveshjen e bashkëpunimit me kolegun Agani, ajo që theksuam ishte që marrëveshja të mos mbetej një dokument në letër, por të përçonte mesazhin për projekte konkrete, të cilat do t’i rezistonin kohës”, tha Gjermeni.


“Stafet e dy ministrive kanë punuar me konkurrentët për projekte sa më afër realitetit dhe që i shërbejnë zhvillimit social-ekonomik të zonës, duke nxjerrë në pah potencialet e padiskutueshme të këtyre zonave. Unë vlerësoj shumë faktin që arkitektët kanë shkuar në terren, kanë bashkëpunuar me stafet lokale dhe kanë sugjeruar që materialet që do të përdoren për këto projekte, do të gjenden në zonat në të dyja anët e kufirit”, tha mes të tjerash në fjalën e saj Ministrja Gjermeni.


Ministri Agani vlerësoi konkursin, i cili është edhe aktiviteti i parë, i organizuar përpara Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Çarshinë e Vjetër, në Gjakovë.

“Synimi ynë, në bashkëpunimin me MZHU-në është ringjallja e bashkëpunimit në një zonë që për shumë vite ka qenë e lënë mënjanë. Me projektet e përzgjedhura vendoset baza solide e zhvillimit të zonave. Deri në shtator, grupet e punës do të punojnë me specialistët e dy ministrive, për hartimin e një plani ideor, ku do të ndërthuren elemente të 10 projekteve të paraqitura në konkurs. Dhe me vendimin politik, që qeveritë do të ndërmarrin të premten e 3 qershorit, do të bëhet realitet zbatimi i projekteve të para në llojin e tyre për Korridorin e Gjelbër të Drinit (Prizren-Kukës) dhe Shtigjet e Lirisë (Gjakovë-Has-Tropojë)”, tha Ministri Agani.


ZONA 1 – Korridori i Gjelbër
Propozohet rijetësimi i rrugës së vjetër në kuadrin e zhvillimit rajonal turistik, ekonomisë vendore të peshkimit, mbrojtjes së mjedisit, si dhe rritjes së lëvizjes sociale dhe kulturore, të rajonit ndërkufitar Prizren – Kukës.Meqenëse aksi kryesor i transportit ndërkombëtar të njerëzve dhe mallrave, sot kalon përgjatë autostradës “Rruga e Kombit”, rijetësimi i rrugës së vjetër, ka premisa për t’u zhvilluar si një korridor i gjelbër, me prioritet turizmin natyror dhe akses të lehtësuar për këmbësorë dhe biçikleta.


ZONA 2 – Shtigjet e Lirisë
Projekti për zhvillimin e shtigjeve të ecjes shihet si një mundësi e mirë për zhvillimin rajonal. Zona në fjalë, përpos vlerave mjedisore është e njohur edhe në aspektin e zhvillimit historik që ka ndodhur në të dyja anët e kufirit. Si rrjedhojë, projekt – propozimet duhet të shtjellojnë më tej këtë projekt me anë të ideve inovative dhe praktike, për zhvillimin e shtigjeve dhe rrugëve lidhëse për zonën në fjalë.


Më të lexuarat