Secondary Adv

Aeroporti i ri jo ne Sarande, tuneli i Llogarase dhe Korridori Blu me pagese

Aeroporti i katërt i vendit, nuk do të ndërtohet në Sarandë siç ishte planifikuar por në Gjirokastër.

 

Tenderi për aeroportin e jugut është anuluar disa herë, ndërsa pritet të hapet një garë tjetër për në Gjirokastër. Ndërsa në Vlorë pritet që fluturimet e para të bëhen në pranverën e vitit 2025. “Na është dashur të rishikojmë planet sa i takon efikasitetit.

 

Duke qenë se kemi një fushë ajrore në Gjirokastër, infrastrukturë të ndërtuar dhe duke pasur që në Shqipëri s’po zhvillohet vetëm turizmi bregdetar, aeroporti i Jugut është menduar në zonën e Gjirokastrës dhe ti shërbejë gjithë zonës së Jugut dhe Sarandës dhe Ksamilit”, tha ministrja e Infrastrukturës.

 

Sa i takon infrastrukturës Rrugore ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, njoftoi në konferencë se këtë vit dorëzohen Unaza e Madhe e Tiranës dhe Rruga e Arbrit. Ndërsa dy veprat e tjera tuneli i Llogarasë dhe Thumanë-Kashar, mbyllen në 2024 e do jenë me pagesë.

 

“Nga ana tjetër qendra e monitorimit të trafikut do të kryejë një rol tjetër që ka të bëjë me akset që do të vendosen në sistemin e pagesës siç është rasti i Tunelit i Llogorasë dhe Korridori Blu”, u shpreh ministrja.

 

Baypass-i i Tiranës dhe zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës janë dy projektet që pritet të startojnë gjatë këtij viti. “Brenda vitit 2024 parashikojmë të hapim fazën e parë dhe ndoshta të dytë të zgjerimit që shkon nga Tirana në Vorë.

 

E para është Tiranë-Kthesa e Rinasit dhe e dyta nga kthesa Rinas-Vorë” thekson kreu i ARRSH. Viti 2024, mund të shoqërohet edhe me rritje të çmimit të ujit.

 

Në fushën portuale, në tetor 2024 do të hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, ndërsa në Durrës po avancojnë punimet për portin Turistik.

 

Sa i takon hekurudhave, po vijon puna për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës, si dhe është miratuar financimi për Durrës-Rrogozhinë. Kurse për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit, po bëhet gatu dokumentacioni, për të nisur me fazat e tjera të projektit.

 

Kurse projektet për nëntokën shqiptare do të kenë një përgjigje në fund të muajit mars, kur do të mbyllen edhe fazat e testimit për naftën në Shpirag, nëse do të bëhet e mundur nxjerrja e saj nga 6 kilometra thellësi dhe situata e komplikuar që është konstatuar atje./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat