Kerkesat per azil ne Gjermani u rriten me 51 per qind gjate vitit 2023
Kërkesat për azil gjatë vitit 2023 në Gjermani u rritën me 51 për qind, duke regjistruar në total 351,915 aplikime.
Numri më i madh i azilkërkuesve erdhi nga Siria, me 104,561 aplikime, të ndjekur nga shtetasit turq me 62,624 kërkesa për azil dhe 53,582 afganë, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale gjermane për Migracionin dhe Refugjatët.
Migrimi është bërë një problem i madh për qeverinë dhe një temë e nxehtë në Gjermani pasi komunitetet lokale po përpiqen të strehojnë shumë të ardhur.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili përballet me presion të madh nga opozita dhe më gjerë për të ndalur trendin, ka thënë se “shumë po vijnë”.
Në fund të vitit të kaluar, Scholz dhe 16 guvernatorët e shteteve ranë dakord për masa të reja dhe më të rrepta për të frenuar numrin e lartë të emigrantëve që futen në vend,
duke arritur një kompromis që përfshinte përshpejtimin e procedurave të azilit, kufizimet e përfitimeve për azilkërkuesit dhe më shumë ndihmë financiare nga qeveria federale për shtetet dhe komunitetet lokale që përballen me fluksin.
Gjermania ka pranuar gjithashtu më shumë se 1 milion ukrainas që nga fillimi i luftës. Në vjeshtë, Gjermania vendosi kontrolle të përkohshme kufitare në kufijtë e saj me Poloninë, Republikën Çeke dhe Zvicrën.
Vendi i Europës Qendrore ka kryer kontrolle të ngjashme sistematike në kufirin e tij me Austrinë që nga viti 2015.
Për të frenuar numrin e emigrantëve në vend, qeveria është përpjekur gjithashtu të lehtësojë dëbimet e azilkërkuesve dhe të ashpërsojë dënimin e njerëzve që kontrabandojnë emigrantë.
Shifrat e vitit të kaluar janë ende shumë nën shifrat e viteve 2015-16, kur më shumë se 1 milion emigrantë erdhën në Gjermani, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku.
Megjithatë, ministrja e Brendshme Nancy Faeser tha se “shifrat e azilit për vitin 2023 tregojnë se ne duhet të vazhdojmë me politikën tonë për të kufizuar migrimin e parregullt”.
“Ne i mbrojmë njerëzit nga lufta dhe terrori. Nga ana tjetër, ata që nuk kanë nevojë për mbrojtje duhet të largohen nga vendi ynë”, shtoi ajo./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kerkesat-per-azil-ne-gjermani-u-rriten-me-51-gjate-vitit-2023/