Secondary Adv

BSH: Inflacioni do te ulet, kursi i kembimit pritet te jete me i qendrueshem

Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të kthehet gradualisht pranë objektivit prej 3% në gjysmën e dytë të vitit 2024.

 

Ndërsa ecuria e rritjes ekonomike, punësimit dhe pagave pritet të vijojë të jetë pozitive.

 

Banka e Shqipërisë shprehet se ky parashikim mbështetet në projeksionet aktuale për një ambient të huaj të pafavorshëm, por gjithsesi të qëndrueshëm, si dhe pritjet për një qëndrueshmëri më të madhe të kursit të këmbimit gjatë vitit të ardhshëm dhe vijimin e kahut të konsolidimit fiskal.

 

Megjithatë, Banka e Shqipërisë mbetet e vëmendshme ndaj qëndrueshmërisë së presioneve të brendshme inflacioniste, të ushqyera nga rritja e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit.

 

Nëse këto trende do të vijojnë të jenë të pranishme edhe gjatë vitit 2024, të nxitura edhe nga një kërkesë në ekspansion të shpejtë për mallra e shërbime, Banka e Shqipërisë shprehet se do të marrë në konsideratë reagime të mëtejshme të politikës monetare.

 

Bazuar në informacionet dhe projeksionet aktuale, Banka e Shqipërisë pret një ecuri më të qëndrueshme të kursit të këmbimit gjatë vitit të ardhshëm.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, nga njëra anë nuk duket të ketë parakushte për dobësim të ndjeshëm të Lekut në të ardhmen, por, nga ana tjetër, do të jetë e vështirë përsëritja e ritmit të përmirësimit të bilancit tregtar dhe të bilancit të pagesave që vumë re gjatë vitit 2023.

 

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2023 dhe çfarë ndikimi kanë pasur deri tani normat më të larta të interesit?

 

Ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2023 duhet konsideruar pozitive.

 

Thuajse të gjithë treguesit kryesorë, të cilët përafrojnë shëndetin ekonomik dhe mirëqenien sociale, kanë ardhur në përmirësim.

 

Vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të shënojë një rritje rreth nivelit 3.5%, punësimi dhe pagat vijojnë të qëndrojnë në një trend të shpejtë në rritje, norma e papunësisë është në minimumet e veta historike, ndërsa inflacioni i çmimeve të konsumit ka ardhur në reduktim progresiv, duke shënuar vlerën 3.9% në muajin nëntor.

 

Të gjithë këta tregues ilustrojnë, në mënyrë të qartë, një performancë të mirë ekonomike, jo vetëm në kontekstin rajonal, por edhe në atë europian.

 

Kjo ecuri është edhe më e admirueshme, nëse i vendosim në kontekstin e sfidave me të cilat jemi përballur. Në veçanti, ambienti i huaj ekonomik ka qenë e mbetet i pafavorshëm.

 

Ekonomia e Eurozonës ka qenë pothuajse në stanjacion, si pasojë e rritjes së shpejtë të çmimeve të lëndëve bazë dhe të produkteve energjetike, dhe si pasojë e rritjes së shpejtë të normave të interesit dhe kostove të financimit.

 

Në të njëjtën kohë, edhe mjedisi i brendshëm financiar është karakterizuar nga tendenca e rritjes së normave të interesit, ndërsa mungesa e fuqisë punëtore, si në aspektin sasior dhe atë cilësor, po bëhet një pengesë gjithnjë e më e madhe për zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik.

 

Në përgjigje të rritjes së shpejtë të presioneve inflacioniste, Banka e Shqipërisë vijoi të normalizojë qëndrimin e politikës monetare gjatë vitit 2023.

 

Në vitin 2023, ky normalizim mori formën e rritjes së mëtejshme të normës bazë të interesit, nga niveli 2.75% në nivelin 3.25%, si dhe u pasqyrua në një rikonfirmim të qartë e transparent të angazhimit tonë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv në një kohë sa më të arsyeshme.

 

Ai është pasqyruar në funksionimin e qetë të tregjeve të parasë, por edhe në një tendencë rritjeje të normave të interesit të depozitave dhe të kredive gjatë vitit.

 

Analizat tona sugjerojnë se politika jonë monetare ka pasur ndikim pozitiv në zhvillimet makroekonomike.

 

Nga njëra anë, ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në trendin e rënies së inflacionit, duke ndihmuar në ankorimin e pritjeve inflacioniste dhe në vendosjen e një balance më të drejtë midis kërkesës dhe ofertës agregate në ekonomi.

 

Nga ana tjetër, reagimi i politikës sonë monetare ka qenë mjaftueshmërisht i kujdesshëm për të ruajtur një ambient ende stimulues financiar.

 

Shqipëria ka aktualisht një ndër nivelet më të ulëta të normës bazë të interesit dhe një ndër nivelet më të ulëta të kostove të financimit të sektorit privat, jo vetëm në kontekstin rajonal, por edhe në atë europian.

 

Ky kujdes që ne kemi ushtruar gjatë dy viteve të fundit materializohet në dy tregues të rëndësishëm.

 

Së pari, sektori bankar ka vijuar të furnizojë ekonominë me kredi, duke mbështetur financimin e konsumit dhe të investimeve në vend. Ritmi i rritjes së kredisë shënoi vlerën 8% në muajin nëntor, ndërkohë që kredia në Lek u rrit me 12% në terma vjetorë.

 

Ndër të tjera, rritja e shpejtë e kreditimit në Lek pasqyron edhe ngushtimin e diferencës – e madje në disa segmente, edhe barazimin – e normave të interesit të kredive në Lek me ato në valutë.

 

Së dyti, treguesi i kredive me probleme ka mbetur i qëndrueshëm dhe aktualisht gjendet pranë nivelit 5%, çka përbën edhe nivelin më të ulët të pas krizës financiare globale.

 

Në mbyllje, dëshiroj të ritheksoj edhe dy parime të rëndësishme që kanë udhëhequr e do të vijojnë të udhëheqin punën tonë.

 

–Në aspektin strategjik, stabiliteti i çmimeve ka qenë dhe mbetet një parakusht i domosdoshëm për stabilitetin e përgjithshëm financiar të vendit, për ruajtjen e vlerës së kursimeve dhe të fuqisë blerëse të familjeve, si dhe për një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë.

 

Nisur nga sa më sipër, Banka e Shqipërisë nuk ka bërë e nuk do të bëjë kompromis me respektimin e mandatit të saj ligjor. Në çdo rast, reagimi i politikës sonë monetare do të ruajë një raport pozitiv midis përfitimeve afatgjata dhe kostove afatshkurtra të saj.

 

–Po ashtu, në aspektin taktik, reagimi i politikës sonë monetare ka qenë dhe do të mbetet një reagim i kujdesshëm, konsistent me faktorët e tjerë që ndikojnë nivelin e çmimeve,

 

ku gjejmë me vend të veçojmë kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit, si dhe i mbështetur nga një rifreskim periodik i analizave dhe parashikimeve, në dritën e informacionit të ri.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/bsh-inflacioni-do-te-ulet-kursi-i-kembimit-pritet-te-jete-me-i-qendrueshem/)


Më të lexuarat