Stuhite paralizojne 12 shtete ne SHBA, anulohen mbi 2000 fluturime
Kompanitë ajrore në Shtetet e Bashkuara anuluan më shumë se 2 mijë fluturime të premten.
Kjo, pasi një stuhi masive dimërore u bë shkak për ndërprerje të energjisë elektrike e krijoi probleme të mëdha në 12 shtete. Në fundjavë gjendja pritet të përkeqsohet.
Krahas anulimeve, 5846 fluturime u shtynë. Linja ajrore ‘Southwest Airlines’ kryeson listën e anulimeve me 401 fluturime, ndjekur nga ‘SkyWest’ me 358.
Në një njoftim të ‘Southwest Airlines’ thuhej se disa nga fluturimet e saj për në Çikago, Detroit dhe Omaha, mund të ndikohen.
Administrata Federale e Aviacionit kishte paralajmëruar të enjten se retë, bora dhe forca e erës, mund të vonojnë fluturimet në aeroporte të caktuara.
‘United’ ka anuluar 284 fluturime deri më tani, me disa anulime që shtrihen deri të shtunën ndërsa pret miratimin nga agjencitë rregullatore për të rifilluar operimin e avionëve 737 MAX 9 të Boeing.
Në një deklaratë të kompanisë thuhej se po kryente disa fluturime të planifikuara me lloje të tjera avionësh.
Administrata Federale e Aviacionit njoftoi se do të fillojë auditin e prodhimit të avionëve Boeing dhe do të rrisë mbikëqyrjen ndaj kësaj kompanie, pasi një panel u shkëput nga trupi i një avioni gjatë një fluturimi javën e kaluar. Ky ishte incidenti më i fundit për kategorinë më të rëndësishme të avionëve të kompanisë Boeing.
Një stuhi dimërore ka goditur Midwest të SHBA-së, duke lënë më shumë se 250,000 klientë pa energji elektrike në Michigan dhe Wisconsin të premten, pasi një i ftohtë i ashpër dhe stuhi dëbore pritet të mbulojë rajonin këtë fundjavë.
Rreth 151,203 shtëpi dhe biznese janë pa energji në Michigan, sipas të dhënave që PowerOutage.US regjistron dhe përpilon për ndërprerjet e energjisë elektrike në SHBA.
Në Wisconsin, 102,692 klientë ishin pa energji që nga mesnata e së premtes.
Erërat e forta dhe reshjet e borës bënë që linjat ajrore të vonojnë më shumë se 7600 fluturime në SHBA dje, ndërsa avionët u ndaluan në Aeroportin Ndërkombëtar O’Hare të Çikagos.
Ndërsa në Iowa, kandidatët për nominimin presidencial republikan kanë anuluar tubimet tre ditë përpara zgjedhjeve paraprake të shtetit, të parat që do të mbahen në një shtet të SHBA për zgjedhjet e nëntorit./Burimi: abcnews.al