Secondary Adv

Ndryshon mosha e pensionit, tabelat me rritjen graduale

 

Botohen në Fletoren Zyrtare ndryshimet e bëra në ligjin "Për sigurimet shoqërore", të cilat parashikojnë një skemë të re për përllogaritjen, moshën e daljes në pension dhe vjetërsinë në punë. Ndryshimet do të hyjnë në fuqi në datën 1 janar 2015, ndërsa parashikojnë rritjen graduale të moshës së pensionit. Të parat që do të "preken" janë gratë, pasi sipas ligjit të ri, mosha e daljes në pension për to do të rritet me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032. Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056, për të dyja gjinitë.

 

Por, ndonëse burrat nuk do të preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Kjo do të thotë se nëse një burrë, në dhjetor të vitit 2014 duhet të kishte 35 vite vjetërsi, me skemën e re duhet të ketë 35 vjet e 4 muaj. E njëjta logjikë vlen edhe për femrat, të cilave paralelisht me moshën u rriten edhe vitet e vjetërsisë në punë.  Përmes këtyre tabelave, çdokush mund të shikojë me saktësi vitin, në të cilin do të dalë në pension sipas përllogaritjeve të reja si dhe vitet e vjetërsisë në punë, sipas të cilave mund të fitohet pensioni.

 

Si do llogariten pensionet

1. Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit.

 

 

Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese të caktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994, si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 1.1.1994.

 

Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2015 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese, sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 1.1.1994, si edhe mbi pagat individuale, mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 1.1.1994 deri në 31.12.2014, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2014 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Koeficientët e indeksimit sipas viteve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

 

2. Baza e vlerësuar neto për llogaritjen e pagesave për sëmundje e barrëlindje dhe për të ardhura të tjera afatshkurtra do të jenë pagat mbi të cilat janë paguar kontributet pasi zbritet tatimi mbi të ardhurat personale, norma e kontributit të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe suplementare që mbahet nga paga e punonjësit, sipas dispozitave në fuqi për periudhën përkatëse.

 

3. Çdo vit, pas 1.1.2015, duke filluar nga data 1 janar, baza e vlerësuar vjetore individuale indeksohet me koeficientin, që llogaritet si raport i kontributit mesatar të personave të siguruar, të mbledhur në vitin e fundit kalendarik, kundrejt të njëjtit tregues të vitit pararendës. Ky koeficient caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

4. Pensionet e invaliditetit nuk do të llogariten me një bazë të vlerësuar më të ulët se ajo e paguar më parë. Sapo të jetë përfituar një pension invaliditeti, shuma e pensionit do të merret si kufi minimal, kur llogaritet çdo pension tjetër sipas ligjit të sigurimeve shoqërore.”.


Më të lexuarat