Qeveria rrit pensionet, ja kategorite qe perfitojne
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin “Për ngushtimin e diferencave në masën e pensioneve”, sipas të cilit një sërë pensionesh të caktuara në vitet 1993-1996 do të përfitojnë rritje, duke u përafruar me pjesën tjetër.
Rritja ndryshon sipas periudhës së caktimit të pensionit nga 1.1.1993 – 31.12.1996, e më konkretisht ndahet në këto fasha: 1 tetor deri në 31 dhjetor 1993, 1 janar deri në 30 shtator 1994, nga 1 tetori 1994 deri në 30 prill 1995, 1 maj deri 30 shtator 1995, 1 tetor 1995 deri në 31 mars 1996, dhe 1 prill deri në 31 dhjetor 1996. Shtimi për këto kategori do të bëhet me shuma fikse, duke çuar në një masë pensioni jo më të ulët se 14 085 lekë.
Ndërkohë që, një pjesë e përfituesve, me vendimin e ri të qeverisë do të arrijnë të marrin pension pleqërie që kap vlerën e 23 640 lekëve. Një kategori tjetër që do të përfitojë rritje, janë pensionet për vjetërsi shërbimi (ushtarakët), të cilët kalojnë në masën 70% të pagës që i është llogaritur pensioni, por jo më shumë se kufiri maksimal i pensionit të pleqërisë, pavarësisht kohës kur kanë kaluar me 70% të pagës. Kjo do të thotë se masa e këtyre pensioneve nuk mund të jetë më e lartë se 50% e pensionit të pleqërisë. Rritje të pagesës do të përfitojnë edhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të nëntokës dhe ato të grave të punësuara në arsim dhe kulturë, kur llogariten si pensione të plota.
Këto kategori do të përfitojnë edhe rritjet e diferencuara që kanë përfituar të gjitha pensionet e plota të pleqërisë me datë fillimi në harkun kohor 1.1.1995 – 1.1.1997, përfshirë edhe rritjen e përcaktuar për kategoritë e sipërpërmendura. Vendimi i shtrin efektet financiare duke filluar nga data 1 qershor 2016, ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” zbardh sot rritjet konkrete për çdo kategori, të cilat i gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Për zbatimin e këtij vendimi, për vitin 2016, nevojiten 324 100 000 lekë, të cilat do të përballohen nga rezultati pozitiv financiar i Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2015.