Mbrojtja sociale, ndihma ekonomike qe marrin femijet do te indeksohet cdo vit
Qeveria parashikon të rrisë ndihmën ekonomike për fëmijët jetimë dhe ata të abuzuar, me qellim të kenë mundësi për tu shkolluar.
Po ashtu synohet që brenda viti 2025 të krijohet garancia financiare për fëmijët, çka do të ndryshojë krejtësisht realitetin për këtë pjesë të shoqërisë.
Të gjithë fëmijët që janë përfitues të ndihmës ekonomike (fëmijët jetim, fëmijët jo në moshë pune në familje me ndihmë ekonomike, viktima të dhunës dhe abuzimit etj..) duhet të marrin më shumë para nga buxheti i shtetit, në mënyrë që t’ju mundësohet shkollimi.
Është ky një nga prioritet që ka qeveria për mbrojtjen sociale për periudhën 2024-2026, ku parashikohet që ashtu siç ndodh me pensionet që indeksohen çdo vit aq sa është inflacioni, të indeksohet edhe ndihma ekonomike.
Qeveria ka nisur punën për të gjetur brenda këtij viti një mekanizëm për të realizuar indeksimin vjetor të ‘Ndihmës ekonomike’ për të gjithë fëmijët që përfitojnë nga kjo skemë.
“Qeveria po shqyrton rritjen e shumës së përfitimit për fëmijët, përfitues të skemës së ndihmës ekonomike, duke rritur masën me qëllim ndjekjen e arsimit dhe zhvillimin e kapitalit human”, thuhet në Programin e Reformave Ekonomike 2022-2024.
Krahas kësaj nisme Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duhet të krijojë mundësi për punësim sa më shumë të personave që trajtohen me ndihmë ekonomike e që janë në moshë pune.
“Nga janari 2023 janë punësuar dhe regjistruar në formimin profesional rreth 3045 individë. Qëllimi i përgjithshëm i kësaj mase është të zgjerojë mbulimin, gjithë përfshirjen, efektivitetin dhe targetimin më të mirë të njerëzve në nevojë përmes punësimit, shërbimeve sociale dhe kujdesit shëndetësor”, thuhet në dokument.
Brenda vitit 2025 objektivi është që të ketë një vlerësim tërësor të skemës së ndihmës ekonomike për kategoritë e veçanta duke i asistuar me fonde shtesë. Po ashtu parashikohet krijimi i një garancie financiare e dedikuar për fëmijët.
Strategjia e re Kombëtare e Mbrojtjes Sociale 2024–2030, synon shtimin e shërbimeve sociale, rritjen e punësimit për personat që trajtohen me ndihmë ekonomike, rritjen e vlerës që marrin përfituesit e kësaj skeme, ndryshimin e shënjestrimit për të identifikuar ata që janë më në nevojë.
Të gjitha këto masa synojnë të përmirësojnë situatën social-ekonomike të kategorive në nevojë, të ulin varfërinë dhe të rrisin vlerën monetare që marrin përfituesit e ndihmës ekonomike.
“Ndikimet priten të jenë kryesisht pozitive dhe do të rezultojnë në përmirësimin e përfshirjes socio-ekonomike të komuniteteve më të varfra dhe më vulnerable në Shqipëri duke ofruar asistencë sociale më të përshtatshme dhe më të përshtatshme, akses të përmirësuar në shërbimet sociale dhe mbështetje për punësim”, thuhet në dokument.
Kostoja e parashikuar për reformën për periudhën 2024-2026, është përllogaritur në vlerën 887 milionë euro, dhe do të mbulohet nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që është 1.8 miliardë euro për këto 3 vite./Burimi: Shqiptarja.com
BUXHETI I MBROJTJES SOCIALE
Viti 2024 291,516,739 euro
Viti 2025 296,344,525 euro
Viti 2026 299,280,918 euro