Interesi i kredive per shtepi ne leke preku nivelin me te ulet vjetor ne nentor 2023
Norma e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash shënoi nivelin më të ulët vjetor gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lekë në nëntor të vitit të kaluar ishte 4.94%.
Ky nivel është pak më i lartë krahasuar fundin e vitit 2022, por nga ana tjetër është më i ulëti i regjistruar gjatë vitit 2023, duke dëshmuar se shtrenjtimi i kredisë pothuajse u frenua vitin e kaluar.
Frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar ndikoi në korrektimin e rritjes tepër të lartë që yield-et e bonove dhe obligacioneve shënuan në gjysmën e dytë të vitit 2022.
Yield-et pësuan rënie në gjysmën e parë të vitit, ndërsa ishin në përgjithësi të qëndrueshme në pjesën e dytë, sidomos për instrumentet afatshkurtra. Kjo u reflektua edhe në interesat e kredive në lekë, që në përgjithësi kuotohen mbështetur mbi interesin e bonove të thesarit.
Ndërkohë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Euro arriti në 5.23% në nëntor 2023, nga 4.55% që kishte qenë në fund të vitit 2022.
Tek kredia në Euro u vërejt një tendencë rritjeje graduale e normave, duke reflektuar shtrëngimin monetar të Bankës Qendrore Europiane dhe rritjen e Euriborit.
Sidoqoftë, për huamarrësit me të ardhura në Lekë, rritja e normave të interesit të Euros është balancuar nga zhvlerësimi i monedhës europiane në kursin e këmbimit. Në fund të vitit 2023, kursi i këmbimit Euro-Lek shënoi një rënie vjetore me 9.1%.
Diferenca mes normës mesatare të interesit për kreditë në Euro dhe ato në lekë arriti nivelin më të lartë historik, me pothuajse 0.3 pikë përqindje më shumë.
Historikisht, normat e interesit për kreditë në Euro kanë qenë më të ulëta se ato në Lekë, duke reflektuar sidomos normat më të ulëta që ka aplikuar Banka Qendrore Europiane.
Por, vitin e kaluar raportet ndryshuan. Banka Qendrore Europiane ndërmori një rritje agresive të normave të interesit deri në nivelin maksimal historik prej 4.5%. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë e ngadalësoi rritjen dhe e mbylli vitin në nivelin 3.25%.
Kjo bëri që në gjysmën e dytë të vitit të kaluar për herë të parë normat e interesit të kredive në lekë të zbresin në nivele më të ulëta se ato në Euro. Një zhvillim i tillë favorizoi një zhvendosje të kreditimit drejt monedhës vendase, madje një pjesë e mirë e huamarrësve i konvertuan kreditë e tyre nga Euro në Lekë.
Përveçse nga normat e interesit, një tendencë e tillë u nxit edhe nga kursi i favorshëm i këmbimit. Kredia në Lekë u rrit me 9% vitin e kaluar.