Secondary Adv

Banka Qendrore e Turqise rrit normen baze te interesit ne 45 per qind

Banka Qendrore e Turqisë e ka rritur normën bazë të interesit edhe me 250 pikë bazë, duke e çuar në totalin e 45%. 

 

Vendimi i bankës qendrore ishte në linjë me parashikimet e tregjeve dhe vjen në një kohë që Turqia përballet me një inflacion dyshifror.

 

Inflacioni në vend u rrit në 64.8% me bazë vjetore, gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, nga 62% që ishte në nëntor.

 

Në anën tjetër, edhe lira turke ka rënë në një nivel të ri rekord, përballë dollarit amerikan, duke thyer kufirin e 30 lirave për një dollar.

 

Analistët parashikojnë se, kjo ishte rritja e fundit, të paktën edhe për pak kohë, sidomos për shkak të afrimit të zgjedhjeve lokale, që do të mbahen në mars.

 

Vendim i Bankës Qendrore të Turqisë, është i fundit në serinë e 8 rritjeve me radhë, që nga zgjedhjet e majit të vitit 2023.

 

Ky shtrëngim i politikës monetare ka qenë i dhimbshëm për turqit, ndërsa vendi përballet me një monedhë të dobësuar në mënyrë dramatike dhe me kostot e jetesës në rritje.

 

Vitet e inflacionit të lartë janë kryesisht rezultat i politikës monetare lehtësuese kokëfortë, jo nga banka qendrore sikurse duhej të ndodhte normalisht, por nga qeveria e Ankarasë zyrtare.

 

Lira turke ka rënë me 38% kundrejt dollarit amerikan, në harkun e një viti, ndërsa ka humbur më shumë se 80% të vlerës, gjatë pesë viteve të fundit.

 

Presidenti Erdogan ndryshoi kursin e politikave të tij ekonomike pasi fitoi një mandat të tretë në zgjedhjet e majit, ndërsa emëroi një ekip të ri ekonomik të kryesuar nga ish-bankieri i Merrill Lynch, Mehmet Simsek, i cili u kthye si ministër i financave.

 

Hafize Gaye Erkan, një ish-drejtuese bankare në SHBA, mori postin e Guvernatores së Bankës Qendrore në qershor, duke u bërë gruaja e parë që mban këtë pozicion në Turqi.

 

Gjatë mandatit të saj, kostot e huamarrjes janë rritur nga 8.5% në 45% aktualisht./Burimi: Scan TV


Më të lexuarat