40 projekte me statusin e investitorit strategjik, turizmi sektori me terheqes
Ligji i miratuar në vitin 2015 për investimet strategjike, ka krijuar lehtësi dhe më shumë akses për investitorët vendas dhe të huaj në Shqipëri.
Kjo “ofertë” u konceptua si një pakete ligjore pilot, me qëllim qe t’u jepte një nxitje të mëtejshme projekteve te investimit në sektorët e cilësuar strategjikë sipas këtij ligji.
Sipas të dhënave zyrtare, interesi i subjekteve ka rezultuar shumë i lartë, ndërsa vlerësohet se kjo paketë u ka shërbyer edhe vetë institucioneve të përfshira në vlerësimin e projekteve,
pasi ndjekja e proceseve te investimeve tashme gëzon një eksperience disa vjeçare dhe krijuar një rrjet komunikimi mes institucioneve ne nivel teknik dhe nivel vendimmarrës.
Por, sa subjekte kanë gëzuar statusin e investitorit strategjik deri më tani?
Referuar të dhënave zyrtare, nga viti 2016 e deri tani janë trajtuar 88 projekte investimi, prej te cilave:
40 kane përfituar status strategjik; 14 projekte janë refuzuar; 34 projekte janë në faze vlerësimi. Pjesa më e madhe e këtyre projekteve janë në sektorin e turizmit ose turizëm i integruar.
Sektorë strategjikë, në zbatim dhe për efekt të këtij ligji, konsiderohen: sektori energjetik dhe minerar; sektori “Transport, infrastrukturë e komunikimeve elektronike dhe mbetjet urbane”;
sektori “Turizëm (Strukturat turistike)”; sektori “Bujqësi (Ferma e madhe bujqësore) dhe peshkim”; sektori “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”; zona me përparësi zhvillimi.
Për secilin sektor, ligji ka të parashikuar vlerën e investimit të detyrueshëm që duhet bërë.
Në dispozicion të zhvillimit dhe realizimit të projekteve investuese strategjike, sipas këtij ligji, mund të vihen trojet, pyjet, tokat bujqësore, si dhe pasuritë e tjera të paluajtshme, në pronësi të shtetit shqiptar.
Mënyra e vënies në dispozicion të pasurive të paluajtshme në pronësi të shtetit shqiptar, për zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike, rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas legjislacionit në fuqi./Burimi: Scan Tv