
Nenshkrimi elektronik 2.0, AKSHI 5.5 mln euro tender per sistemin e qenderzuar
Shërbimet dhe funksionaliteti në sistemin e qendërzuar të dokumenteve që qeveria u ofron qytetarëve dhe bizneseve përmes e-albania do të kalojë në një fazë më të re.
AKSHI hapi këtë të premte procedurën për “Implementimi i Sistemit të Qendërzuar për Dokumentet me Nënshkrim elektronik 2.0, Modulit të Administratës Publike” me një fond limit prej rreth 578 milionë lekë apo rreth 5.5 milionë euro duke argumentuar projektin.
AKSHI sqaron në termat e referencës që shoqërojnë procedurën se aktualisht, Sistemi i Qarkullimit të Dokumenteve të Nënshkrimit Elektronik (SQDNE) bën të mundur komunikimin dhe shkëmbimin e dokumenteve shoqëruese ndërmjet institucioneve shtetërore.
Punonjësit nëpërmjet sistemit bëjnë kërkesën për dokumentet e nevojshme nga institucionet e tjera që i gjenerojnë ato dhe punonjësit e institucioneve që bëjnë kërkesën e përpunojnë këtë kërkesë për një dokument, i cili pasi nënshkruhet elektronikisht nga titullari i institucionit, dërgohet sërish nëpërmjet SQDNE.
Në këtë format punonjësit publikë plotësojnë dosjen e aplikantit me dokumente administrative të lëshuara nga institucionet shtetërore dhe më pas kryejnë përpunimin dhe kthimin e përgjigjes tek qytetarët dhe bizneset, duke kursyer kohë dhe kosto.
“Ky projekt, nëpërmjet përmirësimit të ESDCS, menaxhon ofrimin e centralizuar të shërbimeve publike sipas një modeli të unifikuar.
Për çdo dokument elektronik të gjeneruar nga SQDNE, është e mundur nënshkrimi i tyre duke komunikuar me Infrastrukturën e Çelësave Publike (PKI).
Dokumenti i firmosur nga çdo institucion dërgohet në bazën e centralizuar të të dhënave të SQDNE, e cila bën të mundur menaxhimin dhe shkëmbimin e dokumenteve elektronike duke u shfaqur njëkohësisht në rubrikën “Hapësira ime” e qytetarit.
Në mënyrë që çdo qytetar apo biznes të shërbehet online vetëm për shërbimet elektronike në portalin e-Albania, kërkohen zhvillime dhe rritje të funksionalitetit në SQDNE, të cilat do të mundësojnë përgjigjet e nënshkrimit elektronik nga institucionet në seksionin “Hapësira ime” e e- Portali Albania.
Moduli i Administratës Publike, përdoret gjerësisht nga administrata publike për gjenerimin e dokumenteve me vulë elektronike në emër të qytetarit.
Aktualisht, SQDNE dhe Moduli i Administratës Publike funksionojnë si dy module të veçanta dhe të dyja përdoren nga punonjësit e Administratës Publike”, thuhet në dokument.
Objekti i këtij projekti është shtimi i funksionaliteteve në sistemin SQDNE/Moduli i Administratës Publike në mënyrë që të ofrohet një kanal i integruar për ofrimin e shërbimeve publike.
SQDNE duhet të ofrojë funksionalitetet e nevojshme për të menaxhuar të gjitha shërbimet e publikuara në portalin e-Albania.
Përfitimet e këtij projekti lidhen me:
– Reduktimi i kohës dhe rritja e transparencës për qytetarët dhe bizneset në marrjen e shërbimeve publike;
– Marrja e shërbimeve nga një kanal i integruar;
– Përmirësimi i shërbimeve duke përdorur zgjidhje inovative dhe duke zbatuar të njëjtat standarde;
– Rritja e besueshmërisë për mënyrën e ofrimit të shërbimeve nga administrata publike./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/nenshkrimi-elektronik-2-0-akshi-tender-5-5-milione-euro-per-sistemin-e-qenderzuar/
Më të lexuarat








