Secondary Adv

Renia e yield-eve tkurri investimet e individeve ne bono dhe obligacione

Investimet e individëve në titujt e qeverisë shqiptare pësuan rënie të ndjeshme vitin e kaluar.

 

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për vitin 2023 blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 37.5 miliardë lekë, në rënie me 24.5% krahasuar me vitin 2022.

 

Rënie u shënua edhe në numrin e transaksioneve, që zbriti në 13651, me një rënie vjetore prej 17.9%.

 

Sipas llojit të instrumenteve financiare, ndikimin kryesor e dha rënia e investimit në bono thesari. Shifrat e AMF-së tregojnë se vlera e blerjeve të bonove në tregun primar zbriti në 29.5 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej pothuajse 26%.

 

Ndërkohë, investimi në obligacione arriti në 7.9 miliardë lekë, 18.6% më pak krahasuar me vitin 2022.

 

Të dhënat e mësipërme u referohen transaksioneve të kryera nëpërmjet ndërmjetësve financiarë të licencuar nga AMF, kryesisht bankave tregtare.

 

Megjithatë, investimi në bono thesari mund të kryhet edhe nëpërmjet sporteleve të posaçme të Bankës së Shqipërisë.

 

Gjithmonë sipas të dhënave nga AMF, një rënie e lehtë u shënua edhe në investimet e individëve në tregun dytësor. Blerjet e tyre nga porotfolet e ndërmjetësve financiarë ranë me 3.1% krahasuar me një vit më parë.

 

Rënia e investimit të individëve në bono dhe obligacione vlerësohet të ketë ardhur kryesisht si rezultat i rënies së ndjeshme të yield-eve vitin e kaluar.

 

Gjatë vitit 2022 yield-et e bonove dhe obligacioneve u rritën me ritme shumë të shpejta, duke ndjekyur dhe madje tejkaluar rritjen e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë.

 

Pasiguria nga rritja e shpejtë e interesave dhe pritshmëritë për rritje të mëtejshme të tyre i çuan yield-et pranë niveleve më të larta të dekadës së fundit.

 

Rritja e yield-eve i bëri titujt qeveritarë shumë më tërheqës edhe për investitorët individualë.

 

Një pjesë e depozituesve preferuan ti tërheqin paratë e mbajtura në depozita bankare ose fonde investimi dhe ti investojnë në bono edhe obligacione, në kërkim të kthimeve më të larta. Ndërkohë, vitin e kaluar ritmi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë u ngadalësua ndjeshëm.

 

Kjo bëri që tregu i titujve të qeverisë të qetësohej dhe yield-et pësuan një rënie të ndjeshme në gjysmën e parë të vitit, ndërkohë që në gjysmën e dytë ato rezultuan të qëndrueshme.

 

Korrigjimi i rritjes së fortë të yield-eve duket se e ka ulur edhe interesin e individëve për të investuar në këto instrumente.

 

Ndërkohë, një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në rënien e investimeve në bono dhe ovligacione ka qenë edhe stanjacioni i kursimeve në monedhën vendase vitin e kaluar.

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se në pjesën më të madhe të vitit depozitat në lekë ishin në stanjacion dhe vetëm pas muajit nëntor u vërejt një rritje domthënëse e tyre.

 

Përveç efektit të inflacionit, në një masë të madhe ecuria e depozitave në lekë u ndikua edhe nga suficiti i lartë buxhetor i grumbulluar nga qeveria shqiptare për pjesën më të madhe të vitit.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/renia-e-yield-eve-tkurri-investimet-e-individeve-ne-bono-dhe-obligacione-vitin-e-kaluar/)


Më të lexuarat