Firmoset marreveshja per ndertimin e linjes kabllore nenujore me Egjiptin
Qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me kompaninë 4iG, për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore me Egjiptin.
Zëvendëskryeministrja Belinda balluku deklaroi se vlera e këtij investimi vlerësohet rreth 100-115 milionë euro, ndërsa shtoi se ky projekt është një shtyllë mbështetëse për integrimin dhe zhvillimin e vendit për t’u futur në Bashkimin Europian.
“Një projekt inovativ që do ta kthejë Shqipërinë në një nyje ndërlidhëse ndërkombëtare. Rrjetet kabllore me fije optike janë autostradat e komunikimit global tashmë me rendësi strategjike për vendet me zhvillimet e së ardhshmes.
Sot nënshkruajmë këtë marrëveshje mirëkuptimi me 4iG përsa i përket ndërtimit të një linje komunikimin, që do të lidh Shqipërinë me Egjiptin.
Si sistem që lidh dy vendet, rruga e planifikuar e linjave nënujore në Mesdhe do të jetë unike, duke shtuar diversitetin e rrugëve dixhitale, që lidhin Mesdheun në mënyrë tradicionale, që janë ato që lidhin Egjiptin me Francën dhe Italinë, duke dhënë kështu një mundësi të tretë.
Ky sistem do të zotërojë një pjesë të konsiderueshme të tregut të madh dhe të zhvillimit të trafikut, të dhënave mes Azisë, Lindjes së afërt dhe Europës.
Nga ana e Egjiptit do të ofrohet akses në shumë kabuj nënujorë të juglindjes mes Detit të Kuq dhe Azisë, sigurisht dhe Afrikës, të cilave i shtohen 10 rrugëve tokësore transegjiptiane që bashkojnë segmentin lidhës të Mesdheut dhe opsionet e tjera të zgjatura të Detit Mesdhe.
Egjipti luan rolin e një nyje ndërkombëtare të të gjithë autostradave dixhitale. Për Shqipërinë sistemi do të ofrojë rrugën me të shkurtër për në Frankfurt si dhe destinacione të rëndësishme për trafikun dixhital europian, duke lidhur njëherë e mirë Europën Lindore dhe atë të pjesës së Ballkanit.
Investimi i cili vlerësohet nga 100 deri në 115 milion euro është i mirëpritur nga qeveria shqiptare, duke shkuar në të njëjtën linjë me politikat që ne kemi për zhvillimin e teknologjisë dhe të dixhitalizimit në vendin tonë.
Ky projekt bëhet një shtyllë mbështetëse edhe për strategjinë kombëtare e cila ka të bëjë me integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë për tu futur në BE, si një nga prioritetet kryesore të kësaj strategjie”, deklaroi ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku.