Secondary Adv

Depozitat ne euro shenuan rritjen me te ulet historike ne Dhjetor

Tradicionalisht në gusht dhe në dhjetor depozitat në valutë, sidomos në euro, shënojnë një rritje të ndjeshme, si rrjedhojë e prurjeve të shtuara të emigrantëve.

 

Por në dhjetor të 2023-it, depozitat në euro shënuan një rritje minimale, më të ulëtën, të paktën që nga viti 2016, kur banka e Shqipërisë raporton të dhënat për depozitat në euro.

 

Sipas statistikave të bankës së Shqipërisë, në dhjetor, stoku i depozitave në euro arriti në 7.3 miliardë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

 

Por në krahasim me nëntorin, shtesa e kursimeve ishte vetëm 16 milionë euro, një rritje minimale në krahasim me dhjetorët e viteve të kaluar. Psh, në dhjetor 2022, kursimet në euro u rritën me një rekord prej 112 milionë eurosh.

 

Operatorët e tregut pohojnë se një prej arsyeve lidhet me dobësimin e euros, që ka bërë që shumë emigrantë të mos vijnë në vend, duke sjellë si rrjedhojë dhe më pak valutë.

 

Me bazë vjetore, depozitat në euro janë rritur me 15.5% në 2023-n, ose rreth 920 milionë euro më shumë. Muaji më pozitiv ishin korriku e gushti, ku kursimet në euro në banka u shtuan përkatësisht me 130 dhe 286 milionë euro.

 

Shtesa vjetore në 2023 është pothuajse e njëjtë me shtesën e vitit 2022. Ndryshe nga euro, ecuria e depozitave në lekë në dhjetor ishte shumë më pozitive për të dytin muaj radhazi.

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se stoku i kursimeve në monedhën vendase në dhjetor arriti në 579 miliardë lekë, me një rritje prej 2.5% më krahasim me muajin e mëparshëm, ose 14 miliardë lekë më shumë (rreth 125 mln euro).

 

Edhe në nëntor, kursimet në lekë u zgjeruan ndjeshëm, me rreth 17 miliardë lekë, më e larta që nga dhjetori 2021. Në ecurinë pozitive të kursimeve në lekë ndikuan individët, që shtuan kursimet e tyre pa afat në banka, që sollën 75% të rritjes.

 

Ndikimi i dytë më i lartë erdhi nga korporatat jo financiare publike. Me bazë vjetore, depozitat në lekë u rritën me 5%, ose 27 miliardë lekë më shumë.

 

Ritmet e rritjes së depozitave në lekë në 2023 u përshpejtuan ndjeshëm në krahasim me vitet e mëparshme, kur njohën ngadalësim për shkak të tendencës në ulje të interesave (në 2022 depozitat në lekë me bazë vjetore ranë me 0.1%).

 

Politika shtrënguese monetare, që është shoqëruar me rritje të normës bazë nga banka e Shqipërisë dhe të interesave të depozitave nga bankat, ka ndikuar pozitivisht në ecurinë e kursimeve në lekë.

 

“Monitor” i raporton të dhënat e depozitave të veçuara në lekë dhe në euro, sipas raportimit të Bankës së Shqipërisë në monedhën përkatëse, teksa raportimi i tyre vetëm në lekë është i ndikuar nga zhvlerësimi i euros.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/depozitat-ne-euro-ne-dhjetor-shenojne-rritjen-me-te-ulet-historike-kursimtaret-i-rikthehen-monedhes-vendase/


Më të lexuarat