
Sa mund te marre shteti nga autorizimet e para 5G, eksperienca e fqinjeve
AKEP shpalli këtë javë nisjen e procedurës së këshillimit publik për dhënien në përdorim të frekuencave të para që do të përdoren për zhvillimin e teknologjisë 5G në Shqipëri.
Dokumenti i konsultimit publik nuk përmban propozime për vlerën minimale të ofertave që duhet të paraqiten në garë.
Megjithatë, për të krijuar një ide lidhur me të ardhurat që mund të sigurojë buxheti i shtetit nga licencat 5G mund tu referohemi eksperiencave të vendeve fqinje, që janë më të avancuara se Shqipëria në këtë proces.
Në ndryshim nga Shqipëria, vendet fqinje, si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi i kanë tenderuar në të njëjtën kohë të gjitha brezat e frekuencave që janë alokuar për zhvillimin e teknologjisë 5G, përkatësisht 700 MHz, 3.5 GHz dhe 26 Ghz.
Shqipëria pritet ta nisë procesin me brezin 3.5GHz, ndërsa brezi kryesor për zhvillimin e teknologjisë 5G, ai 700 MHz ende nuk është liruar nga operatorët audiovizivë.
Plani Kombëtar i Frekuencave parashikonte që brezi 700 MHz duhet të kalonte nën administrimin e AKEP qysh në 30 qershor 2022.
Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, megjithëse ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga afati i përcaktuar, çka dëshmon, si shpesh herë të tjera, paaftësinë e institucioneve shqiptare për të përmbushur detyrimet dhe afatet ligjore.
Krahasimet në vlerat e përfituara në vendet fqinje mund të kenë vetëm vlerë referuese, në radhë të parë sepse madhësia e popullsisë dhe e tregut potencial është më e vogël se në Shqipëri (të paktën me të dhënat zyrtare që disponohen deri më sot).
Megjithatë, në rastin e Kosovës, dy operatorët që u pajisën me të drejta për të shfrytëzuar frekuencat e brezit 3.5 GHz vitin e kaluar, paguan gjithsej rreth 4.6 milionë euro për një sasi spektri prej 200 Mhz (100 MHz) secili.
Ndërkohë, dy operatorët paguan edhe afërsisht 7 milionë euro të tjera për frekuencat në brezin 700 MHz, brez që në Shqipëri nuk mund të tenderohet ende.
Në Maqedoninë e Veriut ankandi për brezat e teknologjisë 5G u zhvillua në vitin 2021 dhe vlera minimale e kërkuar për çdo të drejtë përdorimi (prej 100 MHz) në brezin 3.5 GHz ishte tre milionë euro.
Vlera pak më e lartë në rastin e Maqedonisë së Veriut mund të shpjegohet me numrin më të madh të popullsisë (rreth 2.1 milionë banorë kundrejt 1.9 milionë banorë të Kosovës).
Si në rastin e Kosovës, ashtu edhe të Maqedonisë së Veriut, të drejtat e përdorimit për brezin 3.5GHz janë dhënë për një periudhë 20 vjeçare.
Shqipëria ka zyrtarisht një popullsi prej pothuajse 2.8 milionë banorësh, por vlerësohet se shifra reale duhet të jetë ndjeshëm më e ulët, për shkak të tendencave negative demografike, të lidhura me rënien e lindshmërisë dhe sidomos me emigracionin e lartë në dekadën e fundit.
Megjithatë, në teori, shifrat që pritet të përfitojë shteti shqiptar nga dhënia e të drejtave të përdorimit 5G në brezin 3.5 GHz duhet të jenë pak më të larta se ato të Maqedonisë së Veriut (rreth 3 milionë euro për çdo 100 MHz).
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/sa-mund-te-marre-shteti-nga-autorizimet-e-para-5g-eksperienca-e-fqinjeve/
Më të lexuarat








