Secondary Adv

Borxhet e bizneseve, ja kater variantet per pagesat e dritave

Zbardhen 4 variantet që po aplikohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë për detyrimet e papaguara deri në dhjetor të 2015, ku përfitohet falja e kamatës deri në 50 për qind.


OSHEE zgjat afatin e pagesës së kësteve nga 10 vjet që ishte, deri në 12 vjet. Në skemën e parë përfshihet biznesi që ka detyrime të papaguara deri në 100 mijë lekë, të krijuara deri në dhjetor 2015, e paguan borxhin me 24 këste apo 2 vjet.Sipas OSHEE-së, çdo 12 këste i ulet kamata e mbetur me 15 për qind, por jo më shumë se 30 për qind. Në skemën e dytë përfshihet biznesi që ka detyrime të papaguara, që variojnë nga 100 mijë lekë deri 500 mijë lekë, të krijuara deri në dhjetor 2015, e paguan borxhin me 84 këste apo 7 vjet.


Pas 6 këstesh, kësaj kategorie i ulet kamata e mbetur me 2 për qind, por jo më shumë se 30 për qind. Biznesi që ka detyrime të papaguara që variojnë nga 500 mijë lekë deri në 1 milion lekë, e paguan borxhin me 120 këste apo 10 vjet.Pas 6 këstesh, kësaj kategorie i ulet kamata e mbetur me 2 për qind, por jo më shumë se 30 për qind. Në skemën tjetër përfshihet biznesi që ka detyrime të papaguara mbi 1 milion lekë, ku debia paguhet me 144 këste apo 12 vjet nga 10 vjet që ishte më parë. Edhe kësaj kategorie pas 6 këstesh i ulet kamata e mbetur me 2 për qind, por jo më shumë se 30 për qind.


Për përfitimin e faljes së kamatave nga pagimi i borxheve me këste, biznesi duhet të respektojë kushtet e aktmarrëveshjes, të cilat, sipas OSHEE-së, janë riskedulimi i aktmarrëveshjes duke përfshirë këstin e pagueshëm për aktivizimin e aktmarrëveshjes në masën 30 për qind të detyrimit të prapambetur, si dhe këstet e tjera bazuar në periudhën e mbetur nga aktmarrëveshja origjinale.OSHEE-ja parashikon që për biznesin e vogël që ka vetëm kamatëvonesa të krijuara deri në dhjetor 2015 dhe të papaguara, dhe jo detyrim faturash ka afat deri në dhjetor 2016 që ta reduktojë të gjithë detyrimin duke paguar vetëm 100 lekë. Kusht është që vlera e detyrimit mbi të cilën zbatohet detyrimet për faturat duhet të jenë zero deri më dhjetor të 2015.


Për biznesin që ka detyrime të papaguara deri në 5 mijë lekë dhe kamatëvonesa mbi 5 mijë lekë të krijuara në 2007-2015, ka afat deri në dhjetor 2016 që ta reduktojë të gjithë kamatën duke paguar vetëm 1000 lekë. Biznesi që paguan të gjithë detyrimin me një këst i reduktohet kamata me 50 për qind.
Për lidhjen e aktmarrëveshjes biznesi duhet të paraqitet në sportelet e OSHEE-së për përditësimin e të dhënave të kontratës së furnizimit me energji elektrike, të paraqesë kopje e librezës ose faturës të fundit të energjisë, kopje të regjistrimit të biznesit në QKR dhe NIPT, të kartës së identitetit të administratorit dhe dokumentit të pronësisë të objektit.Në rast se mbajtësi i kontratës së energjisë elektrike ka marrë ambientin me qira nevojitet kopje të kontratës së qirasë, bashkëngjitur dhe dokumentin e pronësisë së objektit.


Më të lexuarat