Rritet kostoja e ndertimit ne tremujorin e dyte 2014
Kostot ne ndertim njohën një rritje modeste vjetore me 0.2% në tremujorin e dytë të këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara sot nga Instat, kostot e këtij sektori vazhdojnë të kenë presione të dobët për rritje, kryesisht si rrjedhojë e dobësisë së përgjithshme të kërkesës dhe në veçanti e tregut të pasurive të paluajtshme
Rritja e tremujorit të dytë u përcaktua kryesisht nga rritja e kostos në zërat shpenzime materiale, me 0.5% dhe shpenzime për paga, me 2.1%. Në zbutjen e rritjes së indeksit agregat kontribuan kryesisht shpenzimet për makineritë, që u ulën me 2.1% dhe ato për transportin, me 0.6%.
Tregu i pasurive të paluajtshme vazhdon të vuajë prej disa vitesh kërkesën e dobët, rrjedhojë e krizës ekonomike, por edhe e rënies ciklike të sektorit. Sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi i çmimeve të banesave në Tiranë pësoi përsëri rënie në tremujorin e dytë, me 3.4% në terma realë. Ky rezultat pason rënien me 1.8% në tremujorin e parë dhe me 4.7% gjatë vitit të kaluar.
Burimet e financimit të blerjes së banesave në vitet e fundit janë kufizuar ndjeshëm, për shkak të rënies së remitancave dhe strëngimit të kredisë bankare. Por edhe vetë individët janë tashmë më hezitues në kryerjen e shpenzimeve në vlera të mëdha, për shkak të pasigurisë që ka ngjallur kriza.