Secondary Adv

Banka e Shqiperise: Vendi mund te perballet me vale inflacioni

Konfliktet rajonale por edhe mungesa e fuqisë punëtore, e cila po shtyn bizneset të rrisin pagat për të mbajtur punonjësit po shtojnë rrezikun e një raundi tjetër inflacioni të lartë.

 

Në raportin e parë të Politikës Monetare për këtë vit, Banka e Shqipërisë thotë pavarësisht se trendi i inflacionit është në rënie, rreziqet kundrejt tij po rriten.

 

“Presionet e reja për rritje të çmimeve të naftës dhe të ushqimeve në prani të konflikteve rajonale prezantojnë rreziqe të reja për një inflacion global më të lartë, por edhe për lindjen e efekteve të raundit të dytë në formën e rritjes së pritjeve inflacioniste.

 

Paralelisht me to, presionet nga tregu i brendshëm i punës mund të rezultojnë më të forta dhe më të qëndrueshme, duke shtyrë për lart trajektoren e parashikuar të inflacionit”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

 

Ekspertët e bankës vlerësojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, duke u bazuar në pritshmëritë për ngadalësim të kërkesës për mallra dhe normalizim të situatës në tregun e punës.

 

Përpos këtij parashikimi Banka shpreh gatishmërinë për të rritur normën bazë të interesit, nëse inflacioni nuk është në linjë me pritjet e tyre për të rënë në 3%.

 

Nga ana tjetër ngadalësimi i ekonomisë së Eurozonës, shtrëngimi i kushteve të financimit dhe mungesat në tregun e punës do të ndikojnë në rritjen ekonomike të Shqipërisë, që sipas bankës do të jetë më e ulët se në vitin e kaluar./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat