Secondary Adv

Bizneset e huaja, me shume kosovare, me pak britanike e amerikane

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i ndërmarrjeve me pjesëmarrjen e kapitalit të huaj u rrit me rreth 13% vitin e kaluar. Për sa i takon origjinës së kapitalit, struktura e ndërmarrjeve të huaja në ekonominë shqiptare dominohet nga sipërmarrja italiane.


Për vitin 2015, ndërmarrjet me pjesëmarrjen e aksionerëve italianë ishin 2753 ose 46% e totalit. Italia ka një diferencë të thellë në raport me sipërmarrjet e vendeve të tjera, ku e dyta vjen Greqia me 11%, e më tej Turqia me 8% dhe Kosova me 7%.Krahasuar me vitin 2014, vërehet se ka një shtim sidomos të bizneseve kosovare, që kanë arritur në 411, në rritje me 62%. Ndërkohë, në rënie për vitin 2015 ka qenë numri i bizneseve me aksionerë amerikanë dhe britanikë.


Ndonëse këto biznese së bashku zënë rreth 4% të numrit të ndërmarrjeve të huaja, numri ka rënë më tej gjatë vitit 2015. Struktura sipas aktivitetit për bizneset e huaja është e ngjashme me strukturën e përgjithshme të sipërmarrjes në Shqipëri dhe shumica janë të angazhuar në sektorët e shërbimeve.
Afro 71% e bizneseve të huaja punojnë në shërbime, ndërsa ato ndërmarrje që punojnë në prodhim kryesisht janë të angazhuara në industri dhe më pak në ndërtim apo bujqësi. Rreth 72% e ndërmarrjeve të huaja kanë përmasa të vogla, me më pak se katër individë të punësuar. 


Më të lexuarat