
Pro marreveshjes me Italine per emigrantet, zbardhet vendimi i Gjykates Kushtetuese
Është zbardhur vendimi i Gjykatës Kushtetuese që i hap rrugë firmosjes në Kuvend të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e kampit në Gjadër për pritjen e emigrantëve afrikanë.
Votimi me shumë gjasa do të bëhet të enjten e 22 shkurtit, siç deklaroi dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi sot në mbledhjen e grupit. Për ta miratuar marrëveshjen kërkohen 71 vota e socialistët i kanë.
Prej 18 janarit, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim, në 3 seanca, kërkesën e një grupi prej 30 deputetësh opozitarë të cilët kërkuan që protokolli mes dy vendeve të shpallej antikushtetues. Më 29 janar 2024 Gjykata Kushtetuese me një votim 5 me 4 shpalli marrëveshjen Kushtetuese, ndërsa sot u zbardh dhe vendimi i arsyetuar në 43 faqe.
“Vendosëm deklarimin e Protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.
Ky vendim u njoftohet menjëherë Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave dhe dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.”- thuhet në përfundimin e Gjykatës Kushtetuese.
Nuk ndryshohet integriteti territorial
Gjykata kushtetuese analizoi fillimisht nëse protokolli për migracionin e kishte të nevojshme autorizimin nga presidenti, pasi kemi të bëjmë me dhënie territori, siç pretendon opozita dhe Avokati i Popullit apo ishte e drejtë e kryemimistrit autorizimi për lëshimin e plotëfuqisë për grupin negociator dhe më pas nënshkrimi.
Sa i takon territorit në konceptin territorial Gjykata vlerëson se protokolli për Migracionin nuk ka parashikuar rregulla që passjellin efekte mbi tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë në favor të shtetit italian.
Ai ka parashikuar kalimin në përdorim nga shteti shqiptar tek autoritetet shtetërore italiane të dy zonave, të cilat do të përdoren për të pritur dhe akomoduar migrantët që synojnë të hyjnë në Itali.
Këto zona janë pjesë integrale e territorit shqiptar dhe ato do të vazhdojnë të mbeten të tilla gjatë gjithë kohëzgjatjes së përcaktuar shprehimisht në Protokolli si dhe pas përfundimit të zbatimit të tij.
Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se Protokolli për Migracionin nuk përcakton apo ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, pasi, në thelb, ai nuk ndryshon apo cakton kufij të saj, duke ruajtur në këtë mënyrë të paprekura të gjitha elementet e territorit në aspektin fizik" thuhet në faqen 18 të vendimit
Edhe në aspektin juridiksional të territorit Gjykata vëren se në tekstin e Protokollit për Migracionin nuk rezulton të ketë ndonjë parashikim sipas të cilit shteti shqiptar heq dorë shprehimisht nga ushtrimi i juridiksionit mbi territorin e tij.
Juridiksioni i Italisë dhe Shqipërisë në zonat pritëse
Më tej Gjykata argumenton se drejta ndërkombëtare nuk përjashton ushtrimin e juridiksionit të një shteti, në këtë rast të Italisë, si shtet pritës i emigrantëve në mënyrë ekstraterritoriale. Në këtë kuptim, autoritetet italiane kanë juridiksion parësor në dy zonat e territorit shqiptar, sepse Republika e Italisë është shteti pritës i migrantëve të paligjshëm.
Gjykata çmon se Protokolli për Migracionin është një marrëveshje dypalëshe për ndarjen e detyrave midis autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane për çështjet e migrantëve dhe nëngrupit të azilkërkuesve, që synon të shmangë një vakuum juridiksional dhe përgjegjësish për të drejtat dhe liritë themelore të tyre, ndaj kalimi i juridiksionit autoriteteve italiane për çështjet e migrantëve dhe azilkërkuesve ka qenë i nevojshëm.
Nga ana tjetër shteti shqiptar vazhdon të ushtrojë juridiksionin e tij edhe gjatë kohës së zbatimit të Protokolli për Migracionin.
Gjykata çmon se Protokolli për Migracionin nuk ndryshon juridiksionin territorial të shtetit shqiptar në lidhje me Kushtetutën, KEDNJ-në dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara. Me fjalë të tjera, shteti shqiptar vazhdon të ushtrojë juridiksionin e tij edhe gjatë kohës që Protokolli për Migracionin do të jetë i zbatueshëm
Madje Shqipëria, bazuar në nenin 5 të Kushtetutës, duke zbatuar të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të, ka detyrime pozitive për marrjen e të gjitha masave për të respektuar të drejtat e migrantëve, përfshirë azilkërkuesit, që rregullohen nga Protokolli për Migracionin, përfshirë parimin e moskthimit (nonrefoulement).
Gjykata vëren se megjithëse de facto zonat e parashikuara në Protokollin për Migracionin do të përdoren nga autoritetet italiane për shqyrtimin sipas legjislacionit italian të kërkesave për azil të migrantëve që synojnë të hyjnë në Itali, kjo nuk shmang përgjegjësinë e autoriteteve shqiptare nga detyrimi pozitiv vis-à-vis migrantëve.
Kjo përgjegjësi është e sanksionuar në Kushtetutë, si dhe në të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, ku përfshihen, por pa u kufizuar në to, KEDNJ-ja dhe Konventa e Gjenevës.
Në këtë kuptim, Protokolli për Migracionin nuk e kufizon shtetin shqiptar në ushtrimin e juridiksionit të tij në nivel kushtetues dhe konventor' argumentohet në vendim.
Po kështu protokolli, si marrëveshje ndërkombëtare, në rast ratifikimi të tij do të bëhet pjesë e sistemit normativ shqiptar dhe do të pozicionohet në hierarkinë e akteve normative nën Kushtetutën dhe mbi ligjet e zakonshme.
Ska nevoje opinioni i GJENDNJ
Gjykata çmon se përcaktimet e Protokollit nuk sjellin kufizime të të drejtave dhe lirive të njeriut, pasi standardet minimale të KEDNJ-së, janë të zbatueshme.
Shteti italian është i detyruar të zbatojë normat ndërkombëtare për azilkërkuesit, refugjatët dhe të drejtat e njeriut, ku përfshihen Konventa e Gjenevës dhe KEDNJ-ja, sipas parimit të ekstraterritorialitetit. Po kështu nuk vihet në dyshim ekzistenca e përgjegjësisë së shtetit shqiptar për çështjet që rregullon Protokolli për Migracionin.
Gjykata e vlerëson 'të panevojshme marrjen e një opinioni këshillimor nga GJEDNJ-ja' e konstaton se "për të drejtat dhe liritë themelore të migrantëve që rregullohen nga Protokolli për Migracionin vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar, ndaj mbrojtja e tyre është e përforcuar"
Rama autoriteti që njeh ligji
Për këtë pikë Gjykata analizon Traktatin e Miqësisë, - ratifikuar nga Kuvendi me ligjin nr. 8031, datë 16.11.1995 - si marrëveshje kuadër, e cila shërben si bazë e mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të nënshkruhej nga Qeveria.
Pra, ai mund të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga ministri për Punët e Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit. Kjo do të thotë se procedurat e negocimit nga pala shqiptare janë zhvilluar rregullisht dhe në përputhje me parashikimet ligjore vendase dhe ndërkombëtare
Po kështu Kryeministri është autoriteti që njeh ligji për lidhjen e marrëveshjes si përfaqësuesi më i lartë i pushtetit ekzekutiv.
Për më tepër që dispozitat e Protokollit për Migracionin përmbajnë rregulla që përfshihen brenda kompetencave të vetë pushtetit ekzekutiv, pasi ato lidhen me shërbime të tilla që ofrohen nga autoritetet e institucioneve të ekzekutivit ndaj migrantëve, si siguria (shërbimet policore), përkujdesi shëndetësor, ushqimor dhe çdo shërbim tjetër që do të mbulojë nevojat e tyre, në bashkëpunim me palën italiane.
Me hyrjen në fuqi të vendimit masa e pezullimit të procedurave për ratifikimin e Protokollit për Migracionin nga Kuvendi i cili u mor nga kjo gjykatë më 18 janar bie automatikisht.
Protokolli i cili u firmos më 6 nëntor 2023, do të mbetet në fuqi për pesë vjet, me të drejtë rinovimi, në formë të heshtur, për një periudhë tjetër pesëvjeçare. /Burimi: Shqiptarja.com
Më të lexuarat








