Gazisjellesi TAP, dokumenti i masterplanit gati ne fund te qershorit
Në fund të këtij muaji pritet të jetë gati dokumenti i Masterplanit të gazit. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
Ky është një dokument tejet i rëndësishëm i cili do të përcaktojë të gjithë kornizën e zhvillimit të kësaj industrie në mënyrë që në vitin 2019-2020, kur parashikohet që gazi të kalojë në tubacionin e gazsjellësit TAP, edhe Shqipëria të jetë jo vetëm e lidhur, por të ketë mundësi, infrastrukturë të zhvilluar, plane konkrete për zhvillimin e tregut të gazit.Ndërsa brenda muajit tetor të 2016-ës parashikohet që të përfundojë edhe plani që do të identifikojë projektet prioritare që do të vlerësohen nga konsulenti si të tilla për krijimin e tregut të gazit në Shqipëri.
Një vit më parë falë një investimi prej 1.1 milionë eurosh i “Western Balkans Investment Framework” (WBIF) nisi zyrtarisht hartimi i Masterplanit të Gazit në Shqipëri.Skema fillestare e masterplanit të gazit përcakton si prioritet të parë furnizimin e TEC-it të Vlorës me gaz natyror, pse jo dhe ndërtimi i mundshëm i TEC-eve të tjerë nëse do të jetë e mundur në gjurmën e projektit TAP. Nëse verifikohet se këto projekte janë fizibël, atëherë do të vazhdohet me ndërtimin e tyre.
Kategoria e dytë që parashikohet të trajtohet është ajo e klientëve industrialë, të cilët sot përdorin për nevojat e tyre energjinë elektrike ose naftën. Ekspertët parashikojnë që kërkesa fillestare për gaz të jetë nga 300-500 milionë metër kub në vit, por që me zhvillimin e tregut të gazit, deri në vitin 2020 mund të shkojë nga 1.3-1.5 miliardë metër kub në vit.
Në sjelljen e gazit në tregun e Europës Perëndimore në mënyrë më efikase, me kosto më minimale dhe me përfitime Shqipëria, ofron përparësitë e saj: pozicion të favorshëm gjeostrategjik që mund të shërbejë si nyje rajonale e rrjeteve të gazit; treg të mundshëm për konsumin e gazit natyror, në dy vitet e para mund të jetë 0.3-0.5 Bcm, me një perspektivë të madhe deri në 1.5-2 miliardë Bcm; kapacitete të konsiderueshme për depozitimin nëntokësor të gazit, të cilat shkojnë deri në disa miliarda m³; legjislacion tërësisht në pajtueshmëri me atë të Bashkimit Europian; sigurinë e duhur dhe stabilitetin e nevojshëm politik.