Secondary Adv

Bashkite kane 55 milione euro borxhe, ja cilat jane me problematiket

61 bashkitë në vend kanë bërë progres në uljen e detyrimeve të prapambetura në tremujorin e fundit të 2023 pas duke shlyer 2.1 mld lekë nga shtatori deri në dhjetor.

 

Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, stoku i detyrimeve për pushtetin vendor në fund të 2023 regjistrohet në rreth 5.7 miliardë lekë apo 55.1 milionë euro.

 

Sa i takon zërave në veçanti, duket se bashkitë kanë ulur borxhet që lidhen me investimet publike dhe vendimet gjyqësore, si dhe detyrimet në zërin e shërbimeve.

 

Deri në fund të 2023, bashkitë kanë një shifër të detyrimeve stok për investime e cila regjistrohet në rreth 2.3 miliard lekë; shërbime 572 milionë lekë, dhe 426 milionë lekë për vendime gjyqësore. Zëri “të tjera”, përmbledh rreth 2 miliardë lekë detyrime.

 

Këto katër kategori mbajnë peshën kryesore të borxheve të krijuara nga vendorët. Por cilat janë njësitë e vetëqeverisjes vendore që kanë më shumë detyrime?

 

Në vendin e parë renditet Bashkia Tiranë me 1.4 miliardë lekë detyrime të prapambetura, kjo për shkak edhe se është bashkia më e madhe në vend dhe që vë në jetë projekte investimesh publike në sasi dhe në vlerë më të lartë.

 

Në vendin e dytë renditet Bashkia Kavajë, e cila ka qenë problematike në këtë drejtim prej vitesh, me 794 milionë lekë borxhe, e ndjekur nga Bashkia Vorë me 413 milionë lekë, Durrës me 345 milionë lekë, Dibër 244 milionë lekë, Pogradec me 224 milionë lekë dhe Bashkia Kamëz me 200 milionë lekë.

 

Njësitë e tjera të pushtetit vendor kanë shumë pak detyrime të pa paguara, ku, Shkodra, Kolonja, Korça dhe Shijaku, listohen ndër më të rregulltat në këtë drejtim.

 

Ligji i miratuar nga qeveria qendrore vitin e kaluar i detyron bashkitë që të paktën 30% të fondeve të trashëguara nga një vit më parë, ti përdorin për shlyerjen e borxheve. Ky detyrim do të bëjë që në një afat kohor relativisht të shkurtër ato detyrime të zerohen.

 

Bashkitë në Shqipërisë ndahen në katër kategori sa i takon gjendjes së tyre financiare, nga ato që konsiderohen me probleme deri tek njësitë e falimentuara për të cilat qeverisë i lind e drejta të emërojë një administrator të rinj./Burimi: SCAN


Më të lexuarat