Secondary Adv

Qeveria jep 385 mln euro per ndertimin e Porto Romanos, pershpejtohen procedurat

Me rishikimin që ka pësuar buxheti i shtetit qeveria ka specifikuar edhe mënyrën e financimit të projektit për ndërtimin e ‘Portit të ri tregtar - Porto Romano, Durrës’.

 

Ky investim që pritej të bëhej me fonde të huaja, do të financohet nga buxheti i shtetit me një faturë të ndarë në 3 vite (2024-2025-2026), me vlerë 39.2 miliardë lekë (afro 385 mln euro).

 

“Për këtë projekt, i cili në ligjin fillestar të buxhetit 2024 ishte planifikuar me financim të huaj, është kërkuar nga ana e MIE të financohet me burime të brendshme, përkatësisht në vlerën 9.8 miliardë lekë (me TVSH) për vitin 2024 dhe nga 14.7 miliardë lekë për secilin vit buxhetor 2025-2026”, thuhet në relacion.

 

Në argumentet e dhëna për këtë ndryshim të burimit të financimit, qeveria thotë se shkak është rëndësia strategjike të këtij projekti madhor i cili do të garantojnë plotësimin e kërkesave të Shqipërisë dhe vendeve të Rajonit sa i takon transportit detar.

 

Po ashtu vlerësohet se ky port i ri do të ndikojë në rritjen e mëtejshme ekonomike për zonën Tiranë - Durrës dhe trajtimin e ngarkesave tranzit në port.

 

“Porti i ri tregtar do të vendosë Shqipërinë si nyje në rrjetet infrastrukturore rajonale, duke sjellë rritje dhe përmirësime në aspektin e zhvillimit ekonomik e social të vendit”, vijon më tej relacioni.

 

Për këto arsye qeveria ka gjykuar se financimi i projektit me fonde të buxhetit të shtetit, përshpejton procedurat për fillimin dhe avancimin e punimeve.

 

Porti tregtar po zhvendoset në Porto Romano, për shkak se në Durrës do të ndërtohen porti turistik, ndërkohë pritet që në portin e ri do të përpunohen 2 milionë kontejnerë në vit, si dhe do të priten rreth 1 milionë pasagjerë./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat