Secondary Adv

Borxhi publik ne 2023 ra me 92.3 milione euro

Edhe pse borxhi publik vjet arriti në vlerën më të ulët të dekadës, referuar të dhënave të Ministrisë së Financave kostot e kthimit të borxhit u rritën.

 

Afro 988 milionë euro është vlera e pagesave që ka bërë shteti për interesat dhe principalet e borxhit të marrë. Ndërsa në total borxhi publik vjet zbriti në 13.4 miliardë euro.

 

Borxhi publik në vitin e kaluar është ulur me 92.3 milionë euro, duke zbritur në 59.2%, të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 64.46% që ishte në 2022.

 

Pozitat e borxhit janë në rënie në raport me GDP-në e vendit për shkak se vjet ekonomia pati ecuri pozitive, dhe nga ana tjetër Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 1.6 miliardë euro, dhe arriti në 22.6 miliardë euro në total.

 

Sipas raportit të Ministrisë së Financave borxhi vjet ishte 13.4 miliardë euro, nga mbi 13.5 miliardë euro që ishte në fund të vitit 2022. Por pavarësisht se borxhi është në rënie, kostot e shlyerjes së tij vjet u rrit me mbi 223 milionë euro në krahasim me vitin 2022.

 

Në fund të vitit fatura totale e kostove të borxhit ku përfshihen principali dhe interesat e borxhit arriti në 988 milionë euro nga 764 milionë euro që ishte në vitin 2022.

 

Shërbimi i borxhit sipas Ministrisë së Financave vjet ishte sa 4.36% e PBB-së së vendit, nga 3.65% në vitin paraardhës. Kështu vjet u regjistrua kostoja më e lartë e kthimit të borxhit që prej vitit 2015.

 

Ndikim në rritje të kostove kanë dhënë normat më të larta të interesit të shkaktuara prej krizës së çmimeve, si dhe rritja e kësteve të borxheve që janë larë.

 

Ministria planifikon reduktim të mëtejshëm të borxhit edhe për këtë vit në raport me PBB-në e Shqipërisë, por në vlerë sipas përllogaritjeve ai do të rritet.

 

Konkretisht pas rishikimit të fundit që i është bërë buxhetit të këtij viti, vlera e borxhit përllogaritet në 13.8 miliardë euro nga 13.4 miliardë euro në 2023. Madje nuk përjashtohet mundësia që vendi të emetojë një tjetër eurobond këtë vit për projekte të ndryshme dhe për mbështetje buxhetore./Burimi: Shqiptarja.com

 

PRODHIMI I BRENDSHËM BRUTO

Viti 2022           20,961,882,740 euro

Viti 2023           22,661,309,394 euro

Diferenca         +1,699,426,654 euro

 

KOSTOJA E KTHIMIT TË BORXHIT

Viti 2023      988,414,225 euro

Viti 2022     764,722,388 euro

Diferenca  +223,691,837 euro

 

BORXHI PUBLIK I SHQIPËRISË

Viti 2023           13,419,961,352 euro

Viti 2022           13,512,324,053 euro

Diferenca               -92,362,701 euro

 

BORXHI PUBLIK I SHQIPËRISË

Viti 2024      13,864,002,244 euro

Viti 2023      13,419,961,352 euro

Diferenca        +444,040,892 euro


Më të lexuarat