Secondary Adv

Tregtia online, vetem 1 ne 7 biznese shiten online, te fundit ne Europe

Shqipëria renditet mes katër vendeve të fundit në Europë sa i përket normës së ndërmarrjeve të cilat kanë shitur mallra ose shërbimë online gjatë vitit 2022.

 

Të dhënat nga “Agjencia Europiane e Statistikave” bëjnë me dije se vetëm 13.5% e ndërmarrjeve në vendin tonë janë angazhuar në shitjet online.

 

Mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues vlerësohet në 22.8%. Vitet e fundit shumë prej bizneseve po shfrytëzojnë teknologjinë për të shitur produktet dhe shërbimet në internet.

 

Sipas të dhënave të publikuara nga EUROSTAT, të dhëna këto që i referohen statistikave të  tregtisë elektronike rezulton se është rritur norma e ndërmarrjeve të BE-së të cilat kanë operuar online me shitjet e tyre gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin paraardhës.

 

Midis vendeve të BE-së, përqindja më e lartë e ndërmarrjeve që angazhohen në shitje online u regjistruan në Lituani, Suedi dhe Danimarkë. Në këto shtete aktiviteti i shitjeve është kryer online nga 38.4% e ndërmarrjeve në Suedi, 37.6% në Lituani  dhe 36.2% në Danimarkë.

 

Nga ana tjetër, përqindjet më të ulëta u regjistruan në Rumani, Luksemburg dhe Bullgari, ku ndërmarrjet që operuan online përbënin 11.2% deri në 14.9% të ndërmarrjeve totale.

 

Nëse analizën e përqendrojmë në një spektër më të ngushtë, pra duke marrë në konsideratë Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, të dhënat tregojnë se Serbia dhe Bosnje Hercegovina renditen në krye të listës përsa i përket ndërmarrjeve që aktivitetin e tyre të shitjeve e kryen online gjatë vitit 2022.

 

Përkatësisht, shitjet u kryen online nga 28% e ndërmarrjeve që operonin në Serbi dhe 23.5% e ndërmarrjeve që operonin në Bosnje Hercegovinë.

 

Ndërsa vendin e tretë e gëzon Shqipëria ku 13.5% e ndërmarrjeve tona janë angazhuar në shitjet online duke lënë pas kështu ndërmarrjet që operojnë në Maqedoninë e Veriut, e cila renditet në fund të Europës. /Burimi: SCAN TV


Më të lexuarat