Samiti per Ukrainen, mediat e huaja jehone vizites se Zelensky ne Tirane
Mediat e huaja i kanë bërë jehonë vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Tiranë, në kuadër të samitit për Ukrainën.
Mediat e huaja shkruajnë se Zelensky kërkon mbështetje për planin e tij të paqes ndërsa vënë theksin edhe te fakti se Shqipëria ka qenë një mbështetëse e fortë e Ukrainës.
Kjo është vizita e parë e presidentit ukrainas në Tiranë. Vizita e Zelenksy konsiderohet historike për Shqipërinë, e cila mbetet një anëtare aktive e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO). Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që është rreshtuar krah Ukrainës pas nisjes së pushtimit rus në shkurt 2022.
Në kuadër të kësaj mbështetjeje janë miratuar disa vendime, që lejojnë shtetasit e Ukrainës të hyjnë dhe qëndrojnë pa leje të qëndrimit në Shqipëri për një periudhë njëvjeçare.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky mbërriti në Aeroportin e Rinasit në orën 23:00, ashtu siç ishte parashikuar. Ai u prit nga ministri jashtëm Igli Hasani, Ministrja e Shtetit Elisa Spiropali si edhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë.
Vizita e presidentit ukrainas gjatë Samitit të Paqes në Tiranë ishte njoftuar më herët nga kryeministri shqiptar, duke e cilësuar një shprehje të mbështetjes dhe solidaritetit me popullin ukrainas.
“Shqipëria qëndron krah për krah me Ukrainën së bashku me të gjithë aleatët që kanë zgjedhur të shohin nga e ardhmja,” u shpreh Rama.
Por përtej rëndësisë së madhe për vendin tonë, mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar një gjithashtu një rëndësi të madhe vizitës së presidentit ukrainas.
“Zelenskiy i Ukrainës mbërrin në Shqipëri për samitin e Europës Juglindore”
Ky është titulli që ka vendosur Reuters në artikullin që komenton vizitën e parë të presidentit Zelensky në vendin tonë.
“Kievi po kërkon mbështetje ndërkombëtare për një plan paqeje, ndërsa pushtimi i Rusisë zvarritet në vitin e tretë dhe trupat ukrainase luftojnë për të mbajtur terren kundër sulmeve ruse,” thuhet ndër të tjera në artikullin.
Në artikullin e Reuters theksohet mbështetja që i ka dhënë Shqipëria Kievit si një vend i NATO-s duke iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe kanë dërguar municione në Ukrainë.
Në një artikull të “Associated Press” theksohet se Zelensky mbërriti në Shqipëri për të siguruar më shumë mbështetje për të mposhtur armikun.
“Si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në dy vitet e fundit, Shqipëria iu bashkua SHBA-së në inicimin e rezolutave kundër pushtimit rus,” thuhet në artikullin e AP.
Edhe Daily Mail i ka kushtuar një artikull të gjatë vizitës së parë të Zelenskyt në vendin tonë që nga pushtimi i Rusisë.
“Kjo është hera e parë që Zelensky bën një vizitë në kombin ballkanik që kur Rusia pushtoi Ukrainën më shumë se dy vjet më parë.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama vizitoi Kievin, së bashku me kryeministrin e atëhershëm të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në qershor 2022,” theksohet në shkrim.
Edhe prestigjozja The Guardian ka shkruar për vizitën e Presidenti ukrainas.
“Volodymyr Zelenskiy ka mbërritur në kryeqytetin shqiptar të Tiranës, ku do të marrë pjesë në një samit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të zhvillojë takime dypalëshe me liderët e tyre.
Kievi po kërkon mbështetje ndërkombëtare për një plan paqeje të Zelenskiy, ndërsa pushtimi i Rusisë po shkon në vitin e tretë dhe trupat ukrainase përpiqen të ruajnë territoret kundër sulmeve ruse”, thuhet në shkrim.
Ndërkohë jehonë vizitës së presidentit ukrainas në Shqipëri i kanë bërë edhe mediat greke.
“Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s që nga viti 2009, mbështet fuqishëm Ukrainën”, shkruan Protothema.
“Në Shqipëri për një takim ndërkombëtar, Zelensky kërkon mbështetje për ushtrinë ukrainase”, thuhet në artikullin e një tjetër media greke “Newsbeast”.
Për vizitën e presidentit ukrainas në Shqipëria kanë shkruar edhe media të tjera greke si Kathimerini.
Kjo është vizita e parë e presidentit ukrainas në Tiranë. Vizita e Zelenksy konsiderohet historike për Shqipërinë, e cila mbetet një anëtare aktive e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO). Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që është rreshtuar krah Ukrainës pas nisjes së pushtimit rus në shkurt 2022.
Në kuadër të kësaj mbështetjeje janë miratuar disa vendime, që lejojnë shtetasit e Ukrainës të hyjnë dhe qëndrojnë pa leje të qëndrimit në Shqipëri për një periudhë njëvjeçare./Burimi: abcnews.al