Secondary Adv

Kreditimi e nis vitin me rritje, kredia e re u rrit me 41 per qind per janarin

Kreditimi i ekonomisë e ka nisur me rritje edhe këtë vit.

 

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë kredia e re për ekonominë gjatë muajit janar kishte vlerën e 23.4 miliardë lekëve, në rritje me 41.3% krahasuar me janarin e vitit të kaluar.

 

Njëkohësisht, kjo është vlera më e lartë historike e kredisë së re për muajin e parë të vitit.

 

Rritja e kredisë ishte veçanërisht e lartë në segmentin e bizneseve. Vlera e kredisë së re arriti në 16.7 miliardë lekë, në rritje me 67% krahasuar me një vit më parë.

 

Edhe kredia e re për individët vijoi rritjen, por me ritme më të ulëta, me rreth 9% më shumë krahasuar me janarin e vitit 2023.

 

Kreditimi po vazhdon të rritet, i mbështetur nga normat relativisht të ulëta të interesit, veçanërisht në monedhën vendase.

 

Norma bazë e interesit në Shqipëri është ndër më të ulëtat në Europë, në nivelin 3.25%, ndërkohë që edhe yield-et e instrumenteve afatshkurtra të borxhit të qeverisë ngelen në nivele të ulëta dhe me një diferencë të vogël me normën bazë të interesit.

 

Yield-et e ulëta të instrumentit benchmark, bonove 12-mujore, përcillen në normat e interesit të kredisë në Lekë, duke i mbajtur në një terren ende mjaft tërheqës kostot e financimit për sektorin privat.

 

Vitin e kaluar, kredia e re arriti gjithashtu vlerën rekord të pothuajse 319 miliardë lekëve, në rritje me 14.5% krahasuar me vitin 2022.

 

Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lekë në dhjetor të vitit të kaluar zbriti në 4.85%.

 

Ky nivel ishte vetëm 0.2 pikë përqindje më i lartë krahasuar me një vit më parë, por normat e interesit në muajt e fundit të vitit 2023 ndoqën një tendencë të vazhdueshme në rënie, duke nxitur rritje të ndjeshme të kreditimit në monedhën vendase.

 

Edhe të dhënat e para të inflacionit për vitin 2024 kanë ulur ptitshmëritë për një rritje të afërt të normave të interesit. Në janar, inflacioni zbriti në 3.4%, ndërsa inflacioni bazë, që përjashton çmimet e produkteve ushqimore dhe energjetike, ra në 2.9%.

 

Portofoli i kredisë për ekonominë, i matur si tepricë, në fund të janarit arriti vlerën e 741 miliardë lekëve. Portofoli i kredisë u tkurr me rreth tre miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit 2023. 

 

Megjithatë, me bazë vjetore portofoli total i kredisë ishte në rritje me 4.1%, duke ruajtur ritme të ngjashme të rritjes me ato të fundit të vitit të kaluar.

 

Rritja vjetore e portofolit total për bizneset ishte 1.8%, ndërsa individët 8.4%. Portofoli i individëve vazhdon të ketë ritme më të larta të rritjes vjetore, për shkak të një strukture më të qëndrueshme, të mbështetur sidomos tek kreditë afatgjata për blerje banesash.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/kreditimi-e-nisi-me-rritje-edhe-2024-kredia-e-re-u-rrit-me-41-per-janarin/)


Më të lexuarat