Pervec karburanteve, importet e akcizes me renie te forte ne janar
Importet e mallrave të akcizës pësuan rënie të mprehtë në muajin janar të këtij viti, përveç karburanteve.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se në muajin e kaluar, importet e karburanteve arritën mbi 46 mijë tonë, me rritje vjetore 13%, por importet e birrës, kafesë dhe cigares pësuan rënie me ritme dyshifrore.
Në janar 2024 u importuan 218 tonë cigare, ose 25.7% më pak se në janarin e vitit të kaluar. Importet e cigareve, në janar të vitit të kaluar, panë një rritje jo të zakontë mujore, ndaj baza e krahasimit me këtë vit tregon rënie më shumë statistikore se sa me trendin e konsumit.
Importet e kafesë pësuan rënien më të fortë në janar 2024. U importuan gjithsej 363 tonë kafe, me rënie 32 % në krahasim me janarin 2023, ndërsa edhe importet e birrës gjithashtu shënuan tkurrje me 27%.
Bizneset e lidhura me tregtinë kanë pohuar se këtë vit konsumi ka shfaqur shumë dobësi në janar-shkurt. Në njërën anë, çmimet e larta dhe në anën tjetër ka pakësim të popullsisë rezidente.
Teksa sezoni turistik ende nuk ka nisur, konsumi po vuan nga tkurrja dhe ndryshimi i strukturës së popullsisë drejt moshave më të vjetra.
Një anketë e “Gallup international” e ka renditur Shqipërinë në 10 vendet me nivelin më të lartë të emigracionit në botë në raport me popullsinë në vitet 2021-2022.
Shumica e të larguarve, mbi 80% janë të rinj, grupi që ka prirje më të lartë për të blerë veshje, ushqime dhe pajisje teknologjike.
Sipas raportit të tremujorit të tretë për ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi, u rrit me 2,06%.
Kjo është rritja më e dobët që nga periudha e pandemisë, kur konsumi ra për shkak të kufizimeve që u diktuan nga pandemia.
Konsumi nuk u rrit edhe pse vendi u përball me një fluks jo të zakontë turistësh. Mbi 10 milionë persona vizituan vendin, sipas të dhënave zyrtare, por nga ana tjetër rritja konsumit nuk e reflekton këtë bum.
Konsumi i cigareve, kafesë dhe karburantet realizohet 100% me import, pasi mungon prodhimi vendas në këto artikuj. Birra e importuar e ka ndikuar negativisht industrinë vendase e cila e kishte të zhvilluar industrinë prodhimit.
Rritja e importeve dhe mungesa e politikave për mbrojtjen e prodhimit vendas i kanë vënë fabrikat në vështirësi, duke i çuar drejt mbylljes./Burimi: Moniitor https://www.monitor.al/a-po-bie-konsumi-pervec-karburanteve-importet-e-akcizes-me-renie-te-forte-ne-janar/