Mardheniet Hungari-Shqiperi, vendoset linja ajrore direkte dhe hapet zyra per tregetine
Gjatë Ministerialit në Ningbo mes vendeve të Evropës Qendrore e Lindore dhe Kinës, Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi zhvilloi një takim bilateral me Ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë të Hungarisë, z. Peter Szijjarto. Gjatë takimit, Ministri Szijjarto vuri theksin mbi integrimin evropian të Shqipërisë dhe u zotua për ndihmën e Hungarisë në përshpejtimin e procedurave të aderimit.
Ai propozoi vënien në dispozicion të një eksperti hungarez, i cili do të ofronte asistencë teknike në fazën paraprake të çeljes së negociatave, për plotësimin e kërkesave të “Aquis Communautaire” për shatë kapitujt e parë, që kanë lidhje me ekonominë dhe sipërmarrjen.
Gjithashtu njoftoi se, në korrik do të çelet në Tiranë një Zyrë Përfaqësimi për tregtinë, e cila do të ketë për qëllim të promovojë bashkëpunimin mes SME-ve shqiptare dhe hungareze.Ministri Szijjarto njoftoi po ashtu se, brenda kësaj vjeshte, kompania ajrore Hungareze Wizzair do të nisë fluturimet direkte midis Tiranës dhe Budapestit. Ministri u shpreh se, Hungaria është e interesuar për të ofruar asistencë teknike në hartimin dhe zbatimin e projekteve konkrete në fushën e menaxhimit të ujërave.
Ministrja Ekonomi falënderoi qeverinë e Hungarisë për asistencën e dhënë deri me tani në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE, duke shprehur gatishmërinë për të mirëpritur asistencën teknike në çështjet e negocimit. U vlerësua mundësia e një asistence teknike për çështjet e ndihmës shtetërore dhe të mbrojtjes së konsumatorit.
Një mundësi e mirë bashkëpunimi me Hungarinë mbetet edhe ndërhyrja për përmirësimin dhe ndërtimin e rrjetit bashkëkohor hekurudhor, apo bashkëpunimi në industrinë e turizëm-hotelerisë dhe përpunimit të produkteve agro-ushqimore, për të cilat Hungaria ka një përvojë të pasur. Gjatë takimit, pala hungareze njoftoi akordimin e 20 bursave të plota për 20 studentë shqiptarë, të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet universitare në Hungari, program ky i cili do të fillojë në shtator 2016.