Secondary Adv

BSH:Borxhi i jashtem rritet me 105 milion euro

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, borxhi i jashtëm u rrit me 1.3% ose rreth 105 milionë euro që nga fillimi i vitit. Rritja e borxhit të jashtëm të ekonomisë erdhi në pjesën më të madhe nga sektori privat, sidomos në formën e huave të ndërmarrjeve zotëruese te kompanitë e tyre shqiptare.


Borxhet e kompanive të huaja ndaj aksionerëve të tyre u rritën me rreth 3%, duke arritur në rreth 1.76 miliardë euro. Ndërsa borxhet e kompanive private kundrejt subjekteve jorezidente u rritën në 1.29 miliardë euro, rreth 1.8% ose 23 milionë euro.Ndërkohë, pas një rritje të fortë në tremujorin e fundit 2015, borxhi publik për tremujorin e parë të këtij viti u rrit në përmasa shumë më të kufizuara. Totali i borxhit publik, në fund të muajit mars, arriti në afro 3.32 miliardë euro, me një rritje prej 0.7% që nga fillimi i vitit.


Për sa i takon sistemit bankar, vlera e detyrimeve të jashtme regjistroi një rritje të lehtë në vlerën e 1.29 miliardë eurove, me një rritje prej vetëm tetë milionë eurosh në tre muaj.Në kushtet e bollëkut të likuiditetit nga depozitat e publikut dhe të një kërkese të dobët për kredi, bankat nuk kanë pasur nevojë të kërkojnë burime financimi shtesë, përmes huave të jashtme.


Më të lexuarat