Secondary Adv

Ndalet permiresimi i tregut te punes, rritet papunesia ne 3-mujorin e fundit te 2023

Shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare shënoi një rritje të lehtë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. 

 

Të dhënat e INSTAT treguan se shkalla zyrtare e papunësisë u rrit në 10.6%, nga 10.5% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm.

 

Megjithatë, shkalla e papunësisë në ekonomi ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishte në nivelin 10.8%.

 

Gjatë tremujorit të fundit 2023, treguesi i papunësisë pësoi rënie të lehtë për femrat, por shënoi rritje për meshkujt.

 

Rritja e shkallës së papunësisë në ekonomi ka reflektuar kryesisht uljen e nivelit të punësimit.

 

Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç ra në 66.7%, nga 67.7% që kishte qenë një tremujor më parë, ndërsa ngelet lehtësisht më e lartë se niveli prej 66.5% i një viti më parë. Shkalla e punësimit ka shënuar rënie si për meshkujt, ashtu edhe për femrat.

 

Me bazë tremujore, punësimi ka shënuar rritje vetëm për industrinë, me 1.7%, ndërsa ka pësuar rënie në shërbime, me 1.9% dhe në bujqësi, me 1.3%.

 

Me bazë vjetore, punësimi është në rritje me 2.8% në sektorin e shërbimeve, por paraqitet në rënie për industrinë, me 0.1% dhe për bujqësinë, me 2.9%. Edhe shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës ka pësuar rënie në tremujorin e fundit 2023.

 

Ky tregues zbriti në 75.1%, në rënie me një pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe me 0.3 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës është raporti i forcës së punës (të punësuar plus të papunë punëkërkues) kundrejt popullsisë në moshë pune.

 

Pas pandemisë, tregu i punës është karakterizuar nga rritja e punësimit dhe rënia e papunësisë në nivelet më të ulëta historike. Mungesa e forcës së punës ka sjellë edhe një rritje të shpejtë të pagave, duke rritur edhe presionet inflacioniste në ekonomi.

 

Tremujori i fundit 2023 ka sjellë një përkeqësim të lehtë të treguesve të tregut të punës, megjithatë është herët për të kuptuar nëse tregu i punës po e kalon fazën e mbinxehjes.

 

Duke pasur parasysh peshën në rritje të turizmit në ekonomi dhe në tregun e punës, është e pritshme që kërkesa për punë të rritet ndjeshëm pas tremujorit të dytë të viti, duke reflektuar edhe tendencën sezonale të këtij sektori.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/ndalet-permiresimi-i-tregut-te-punes-papunesia-u-rrit-dhe-punesimi-u-ul-ne-tremujorin-iv-2023/)


Më të lexuarat