Kosova investon ne Kukes, 2.3 mln euro per rrugen nderkufitare Kerstec-Zapod
Me një investim prej 2.3 milionë eurosh qeveria e Kosovës po shtron rrugën që lidh Zapodin me Dragashin.
Braktisur prej vitesh nga shteti shqiptar banorët e zonës kufitare në verilindje të vendit kanë gjetur mbështetje nga shteti i Kosovës.
Të izoluar prej vitesh, për shkak të dëmtimit të infrastrukturës, fshatrat kufitare të njësisë vendore Zapod në Kukësit do te lidhen me rruge të re me komunën e Dragashit në Kosovë.
Qeveria e Kosovës nisi punën për ndërtimin e aksit Kërstec-Pakishtë-Zapod me gjatësi 6,3 km.
Liburn Aliu, ministër i Mjedisit dhe Infrastrukturës së Kosovës ne nisje te punimeve tha se ky investim është shume i rëndësishëm për zonat ndërkufitare te Shqipërisë me Kosovën.
“Në bazë të marrëveshjes mes dy qeverive që kemi firmosur më herët po fillojmë këtë projekt të rëndësishëm për banorët e këtyre zonave që historikisht kanë pasur komunikim me Kosovën. Historikisht qendër për Zapodin ka qenë Dragashi”, tha ministri Aliu.
Banorët e këtyre fshatrave e kane cilësuar jetike zgjerimin dhe asfaltimin e kësaj rruge.
“Kjo rrugë na sjell të ardhura se ne lidhjet i kemi këtej (nga Kosova), për biznes për treg, për gjithçka”, thanë banorët.
Investimi i qeverisë së Kosovës për të lidhur Zapodin me Dragashin kap vlerën e 2.3 milionë eurove./Burimi: Shqiptarja.com