Secondary Adv

Investim në rrugët e Përmetit, ndërhyrje në gjashtë akse rrugore me fond 30 mln lekë

Bashkia e Përmetit ka hapur tenderin për përmirësimin e gjashtë akseve rrugore në qytet dhe zonat përreth. Investimi ka një fond limit prej 30.36 milionë lekësh dhe parashikon ndërhyrje në rreth 2.3 kilometra rrugë.

Bashkia e Përmetit ka shpallur procedurën e prokurimit për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në territorin e saj, me një fond limit prej 30 milionë e 362 mijë lekësh. Projekti parashikon ndërhyrje në gjashtë segmente rrugore, me një gjatësi totale prej rreth 2.3 kilometrash.


Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, punimet do të realizohen në rrugën “Nexhip Bënja” dhe rrugën “e Përmetit” në qytet, si dhe në rrugën e Bualit, rrugën e mesit në Kaludh, rrugën e Biovizhdës dhe rrugën qendrore në Çarçovë.


Projekti teknik evidenton nevojën për përmirësimin e shtresave rrugore në të gjashtë segmentet. Ndërhyrjet do të përfshijnë gjithashtu punime në sistemet e kanalizimeve dhe trotuaret, me synim përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe sigurisë së përdoruesve të rrugës.


Sipas dokumentacionit, projekti nuk parashikon shpronësime, pasi të gjitha punimet do të realizohen brenda gjurmës ekzistuese të rrugëve.


Shtresat e reja rrugore janë projektuar për të garantuar qëndrueshmërinë dhe funksionalitetin e segmenteve për një periudhë projektimi 20-vjeçare.

Investimi synon të lehtësojë lëvizjen e banorëve, të përmirësojë aksesin në zonat e përfshira dhe të rrisë sigurinë rrugore. Ndërhyrjet pritet të ndikojnë në përmirësimin e kushteve të përditshme të qarkullimit, si në qytetin e Përmetit, ashtu edhe në zonat përreth.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat